TIKA rinovon ambulancën në Komunën e Bogovinës

 

 

Në fshatin Urviç të Komunës së Bogovinës në veriperëndim të Maqedonisë, u bë hapja e ambulancës së riparuar dhe pajisur nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në ceremoni morën pjesë ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë, Tahir Tahiri, si dhe popullata e fshatit.

Ministri Filipçe, tha se ndihen krenar për hapjen e ambulancës së restauruar në këtë fshat në fillimit të muajit të Ramazanit.

“Ambulanca u pajis me pajisjet më bashkëkohore për të ofruar shërbime shëndetësore dhe stomatologjike për banorët e fshatrave Urviç, Jellovjan dhe Novosellë. Gati janë edhe ekipi i mjekëve dhe infermiereve që do të ushtrojnë detyrë në kuadër të ambulancës”, deklaroi Filipçe.

Filipçe falënderoi TIKA-n, të cilën e cilësoi si një nga institucionet më të rëndësishme që ndihmon sistemin shëndetësor në Maqedoni, duke uruar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Ayden, tha se TIKA ka realizuar projekte të shumta në Maqedoni, megjithatë, projektet në fushën e shëndetësisë janë në mesin e projekteve të cilave u japin rëndësi të madhe.

Ayden theksoi se shpenzimet më të mëdha në vitin 2018 i kanë bërë në projekte shëndetësore.

“Në spikatjen e këtyre projekteve, qëndron dialogu dhe bashkëpunimi i mirë me ministrin. Aktivitetet e TIKA-s të kryera përmes këshillimeve reciproke në Maqedoni dhe për popullin e Maqedonisë, veçanërisht për të rinjtë dhe fëmijët, janë të një rëndësie të madhe”, tha Ayden.

Ayden tha se vazhdojnë të realizojnë projekte në Maqedoni në fushën e shëndetësisë, duke shtuar se në katër vitet e fundit kanë shpenzuar 20 milionë denarë (afro 325 mijë euro).

Ai po ashtu u shpreh se së bashku me ministrin e Arsimit, do të punojnë në ndarjen e përvojave të Turqisë për trajnimin e personelit shëndetësor.

“Sot realizuam pajisjen dhe ndërtimin e një ambulance në të cilën do të mund të kryhet ndërhyrja e parë, kontrolle normale, vaksinimi i fëmijëve dhe fëmijëve parashkollorë dhe trajtime të syve. Natyrisht, është krijuar mjedis dhe sistem në të cilin do të punojë edhe stomatologu. Nëse angazhohet stomatolog, atëherë në ambulancë mund të ofrohet edhe ky shërbim”, deklaroi Ayden.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bogovinës, Xhemaili, theksoi se tani ekziston një nga ambulancat më të mira në kuadër të komunës.

“Tani më kemi ambulancë të re në saje të qeverisë dhe popullit turk, në bashkëpunim me komunën dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Xhemaili

Po ashtu, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë, Tahiri, falënderoi TIKA-n për, siç tha, përgjigje pozitive ndaj kërkesave për restaurim të ambulancës.

“Sot, kjo ambulancë i përmbush të gjitha standardet për të ofruar shërbime shëndetësore”, deklaroi ai.