TIKA vazhdon mbështetjen për institucionet arsimore në Shqipëri

Mos i humb

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për institucionet arsimore në Shqipëri. Në kuadrin e “Programit Fëmijë të Lumtur, Ballkan me Shpresë” TIKA në qytetin e Belshit, në qarkun e Elbasanit, ka realizuar rikonstruksionin e godinës dhe mundësuar pajisjet mobilie të kopshtit në qendër të qytetit.

TIKA ka realizuar rikonstruksionin total për gjithë godinën e kopshtit i quajtur Kopshti Publik i Belshit, ku edukohen rreth 90 fëmijë nga mosha 3-6 vjeç, rregullimin e ambientit të jashtëm, si dhe ndërhyrjet në sistemin e ngrohjes. Gjithashtu ka mundësuar pajisjet mobilie si rafte, tavolina dhe karrige.

Në aktivitetin e organizuar për inaugurimin e këtij investimi, merrnin pjesë ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, prindër dhe përfaqësues të institucioneve lokale në Elbasan, si dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur në aktivitet, Tafani theksoi se prania e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri në këtë inaugurim ka një rëndësi të veçantë pasi lidhet me inaugurimin e rikonstruksionit të kopshtit të fëmijëve, investim i mundësuar nga TIKA.

“Ky investim është nga më të rëndësishmit e kësaj fushe për momentin në bashkinë tonë. Falë këtij investimi kopshti ekzistues u transformua plotësisht duke marrë një pamje dinjitoze. Shprehim mirënjohjen për kontributin e dhënë nga TIKA dhe për popullin e madh dhe mik turk. Kam mbetur i mrekulluar për këtë punë. Falë investimit të mundësuar nga TIKA fëmijët e këtij kopshti do të kenë një ambient me kushte të shkëlqyera dhe bazë materiale të bollshme. Ky bashkëpunim të jetë gjithnjë e më i shpeshtë në të gjitha fushat”, tha Tafani.

Ambasadori turk në Tiranë, Yörük, gjatë fjalës në ceremoni u shpreh se projektet e TIKA-s do të vazhdojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke shtuar se “Ne bashkë me vëllezërit tanë shqiptarë në shekuj kemi ecur bashkë dhe kemi përparuar së bashku, kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Në vazhdim të kësaj kemi ardhur sot në këtë qytet të bukur. Ne të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë i kemi fqinj të zemrës. Ne këtu nuk po hedhim themele të reja, por po fuqizojmë ato themele që kemi hedhur më përpara.”

“Fëmijët tuaj janë edhe fëmijët tanë. Ne, projektet që ka nisur TIKA do t’i vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë, në qytete të ndryshme ku të ketë nevojë për ndihmë sipas mundësive tona. Kemi bindjen se dora që mbështet është më e fuqishme se gjuha që kritikon. Ne mendojmë që Shqipëria është një vend tepër i rëndësishëm në rajonin ku ndodhet. Kemi bindjen e plotë që vëllezëri tanë shqiptar dhe Shqipëria do të arrijë suksese të mëtejshme dhe e ardhmja e tij do të jetë e shkëlqyer. Ashtu siç e kemi mbështetur njëri-tjetrin në të kaluarën edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të mbështesim popullin shqiptar dhe Shqipërinë”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Deputeti i qarkut të Elbasanit, Musa Ulqini, duke theksuar se Belshi ka shumë nevojë për investime, u shpreh se ky investim nga TIKA është i mrekullueshëm. “Fëmijët kur të rriten do ta kujtojnë këtë investim që ka bërë Turqia. Turqia është një aleat strategjik i Shqipërisë. Sot në Shqipëri më shumë se 10 mijë të punësuar punësojnë në investimet turke. Investimet e TIKA-s janë cilësore dhe një model sesi duhet investuar”, theksoi Ulqini.

Ndërkohë, ambasadori Yörük dhe përfaqësuesit e institucioneve turke në Shqipëri kanë realizuar takime me drejtuesit e institucioneve vendore në qarkun e Elbasanit, si me kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, kryetarin e Bashkisë së Belshit, Arif Tafani dhe të tjerë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit