Tillerson: Spastrim etnik kundër muslimanëve Rohingya

Mos i humb

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson e ka përshkruar për herë të parë si “spastrim etnik” dhunën me të cilën po përballen muslimanët e Arakanit ku ka theksuar se përgjegjësit e masakrave duhet të nxirren para drejtësisë.

Tillerson në kuadër të vizitës dhe bisedimeve të zhvilluara më 15 nëntor në Mianmar ka dhënë vlerësime mbi situatën e fundit në Arakan nëpërmjet një deklarate me shkrim.

Në deklaratën e tij Tillerson ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij ka diskutuar mbi situatën e fundit në vend me përfaqësues të lartë duke përfshirë edhe lideren e Mianmarit, Aung San Suu Kyi. Ai ka theksuar se kriza njerëzore duhet të përfundojë sa më parë.

  • “Ky është një spastrim etnik”

Sekretari amerikan Tillerson dënoi edhe njëherë sulmin e ndërmarrë më 25 gusht kundër pjesëtarëve të ushtrisë së Mianmarit.

“Sërish asnjë provokim nuk mund të legjitimojë mizorinë e tmerrshme të përjetuar deri më tani. Shkeljet e disa prej pjesëtarëve brenda forcave të sigurisë së Mianmarit dhe të ekzekutuesve lokalë kanë shkaktuar dhimbje me përmasa të mëdha ku si pasojë mijëra gra, fëmijë dhe meshkuj janë strehuar në Bangladesh duke u larguar nga shtëpitë e tyre. Pas një vlerësimi të bërë me kujdes për të vërtetat aktuale është e qartë se ajo që bëhet kundër Rohingya-ve në rajonin e Arakanit është spastrim etnik”, deklaroi Tillerson.

Ai tha se përparësia e SHBA-së është të ofrojë ndihmë për personat në nevojë që përballen me krizën, duke rikujtuar se përveç paketës me 40 milionë dollarë ndihma kanë njoftuar edhe një ndihmë shtesë me paketën prej 47 milionë dollarësh.

“Qeveria e Mianmarit dhe forcat e saj të sigurisë duhet të respektojnë të drejtat e njeriut për të gjithë ata që ndodhen brenda kufijve dhe duhet t’i mbajnë përgjegjës ata që nuk e zbatojnë këtë”, potencoi Tillerson për të shtuar se SHBA-të do të bëjnë atë që është e nevojshme që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë.

  • Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri më tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve.

Ndërkohë dhjetra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh. Supozohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike. /Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit