Tiranë-Durrës do 15 milionë euro, qeveria nuk ka parà

Mos i humb

Tiranë-Durrës, segmenti rrugor me trafikun më të lartë në Shqipëri është thuajse tërësisht i shkatërruar. Mungesa e mirëmbajtjes për shumë vite ka bërë që rruga të degradojë duke u bërë burim trafiku por edhe aksidentesh.

Në vitin 2016, përmes një projekti të financuar me bankën botërore, qeveria ja kaloi mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare 4 kompanive private. Sipas projektit, këto kompani do të paguhen 150 milionë dollarë për të mirëmbajtur akset kombëtare në 5 vitet e ardhshme. Por rruga tiranë durrës u përjashtua nga banka, pasi nuk kërkonte vetëm mirëmbajtje por duhej rehabilituar tërësisht.

“Ne ishim në diskutime për një kohë të gjatë me Bankën Botërore. Por ata e refuzuan dhe tani jemi në këtë situatë”, thotë Afrim Qendro, kreu i ARRSH-së.

Pas refuzimit nga Banka Botërore, e vetmja mundësi për rehabilitimin e rrugës mbetet ndërhyrja me fondet e buxhetit. Përllogaritjet paraprake tregojnë se rruga mund të ketë një kosto deri në 15 mln euro. Por qeveria ende nuk i ka dhënë paratë.

“Sapo të miratohet fondi ne do hapim tenderin”, thotë mes të tjerash z. Qendro.

Sipas ministrisë së Transporteve, në aksin Tiranë-Durrës qarkullojnë deri në 50 mijë mjete në ditë. Por gjendja e rënduar e rrugës, ka jo pak kosto për qytetarët.

“Tiranë-Durrës është rruga më e rëndësishme për ekonominë kombëtare. Përvecse lidh portin kryesor të vendin me tregun me të madh të tij, ajo është dhe arteria kryesore e turistëve. Sezoni i plazhit po afron. Me gjasa rruga do të mbetet në gjendje të shkatërruar edhe këtë verë duke u bërë burim trafiku, amortizimi të mjeteve por edhe burim aksidentesh që marrin jetë njerëzish”, raporton gazetari i Top Channel, Klodian Tomorri./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit