Tiranë, hapet ekspozita për dekoratat dhe medaljet

Mos i humb

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur ekspozita me dekorata dhe medalje të ndryshme, që janë përdorur dhe dhënë gjatë periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar sjellin për publikun ekspozitën “Dekorata dhe medalje”, e cila do të qëndrojë e hapur për dy javë për vizitorët, dukë përfshirë qytetarë, por edhe studiues.

Në ceremoninë e hapjes, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se ekspozita do të jetë një shans i mirë për të gjithë qytetarët që do të vijnë të shikojnë një pjesë të pasurisë kombëtare të Shqipërisë.

“Mund ta shikojmë në shumë këndvështrime këtë gjë. Mund ta shikojmë nga pikëpamja stilistike, sepse disa prej këtyre dekoratave të vjetra janë jashtëzakonisht të bukura të cilat nga pikëpamja stilistike kanë një vlerë të veçantë. Mund ta shikojmë nga pikëpamja e vlerave, ku dekoratat iu janë dhënë personaliteteve më të mëdha të kombit tonë dhe rrjedhimisht ato fshehin edhe një histori tjetër”, theksoi Bido.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave e ka konsideruar një bashkëpunim model.

“Përgëzoj stafet e të dy institucioneve që e kanë gjetur veten në një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe që shkon drejt një bashkëpunimi shumë të natyrshëm për sa i përket memories sonë kolektive dhe pasqyrimit sa më të saktë të historisë”, theksoi Koçi.

Në këtë ekspozitë paraqiten dekorata dhe medalje me të cilat janë nderuar personalitete shqiptare e të huaja.

Një pjesë e dekoratave ruhen në fondet e Muzeut Historik Kombëtar dhe ekspozohen për herë të parë. Gjithashtu, nga fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë ekspozohen dekorata dhe medalje të ndryshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit