Tiranë, konferencë për luftën kundër diskriminimit dhe urrejtjes

Mos i humb

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë zhvilluan sot konferencën në formën e një seminari me temë: “Lufta kundër Intolerancës, Diskriminimit dhe Urrejtjes”.

E pranishme në këtë aktivitet ishte zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi e cila tha se ky aktivitet ka si qëllim të fuqizojë rolin e parlamentarëve për të përmirësuar legjislacionin dhe mekanizmat që veprojnë në praktikë për zbatimin e rekomandimeve të të gjitha organizmave monitoruese, sa i përket luftës kundër diskriminimit dhe urrejtjes.

“Ky është seminari i katërt që zhvillohet, në kuadër të planit të veprimit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, i cili ndalet në një çështje të veçantë atë të intolerancës, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Dy vite më parë Komisioni Evropian, kundër racizmit dhe intolerancës bëri publik raportin e tij për Shqipërinë dhe ka lënë një sërë rekomandimesh për autoritetet shqiptare, përfshirë dhe Kuvendin e Shqipërisë. Parlamenti luan një rol të rëndësishëm në procesin e zbatimit të rekomandimeve që bëjnë institucionet vendase dhe ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë Avokati i Popullit, Komisioneri për parandalimin e Diskriminimit, Komisioni Evropian dhe shumë mekanizma të tjerë monitorues të krijuar në kuadër të konventave”, u shpreh Hysi.

Sipas saj, roli i Kuvendit nuk është thjesht në marrjen e rekomandimeve, por “në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit në lidhje me parandalimin dhe luftimin e diskriminimit, intolerancës dhe gjuhës së urrejtjes. Gjithashtu edhe për ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të mekanizmave monitorues vendas dhe ndërkombëtar”.

Në përfundim të fjalës së saj, Hysi tha se Kuvendi i Shqipërisë do të luajë një rol të rëndësishëm për të parandaluar gjuhën e urrejtjes. I pranishëm në këtë aktivitet ishte kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch, i cili në fjalën e tij theksoi se është e rëndësishme për të punuar në terma konkretë, për çështjet që kanë të bëjnë me urrejtjen dhe diskriminimin.

Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare, që kanë në fokus të punës së tyre luftën kundër diskriminimit dhe urrejtjes./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit