“Toleranca osmane duhet të rigjallërohet në Ballkan”

Mos i humb

Regjisori nga Turqia Semih Kaplanoglu, i cili u ndodh në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, për shfaqjen e filmit “Bugday” (Gruri) në kuadër të Festivalit të 16-të Europian të Filmit Cinedays, të organizuar me kontributin e Institutit Yunus Emre – Shkup (YEE), thotë se historia turke nuk mund të mendohet pa Ballkanin.

Në një intervistë Kaplanoglu rikujtoi se më parë me producenten boshnjake Aida Begiç kanë qenë producentë të filmit “Djeca” (Fëmijët) në Turqi, ku dhe bashkë me televizionin publik turk TRT kanë kontribuar në realizimin e filmit. Kaplanoglu thekson se gjithmonë Shkupi, Prizreni, Prishtina, Sarajeva, në përgjithësi Ballkani, ia kanë tërhequr vëmendjen.

Ai madje thotë se disa prej anëtarëve të familjes së tij janë me origjinë nga Ohri, ndërsa shton dhe se historia turke nuk mund të mendohet pa Ballkanin.

“Në të vërtetë, të gjitha këto janë dëshmi e kulturës sonë të gjallë që e vazhdojmë edhe këtu, edhe në Turqi. Në të njëjtën kohë, edhe në Turqi ka shumë njerëz, të rinj, studentë me rrënjë nga Ballkani, kurse edhe këtu po ashtu ka turq. Për këtë arsye, këto marrëdhënie në të kaluarën dhe të tashmen duhet të shfaqen patjetër nëpër filma, libra dhe duhet të nxirren në pah. Gjithashtu, këtu ka edhe një traditë të urtësisë, të të diturve që kanë qenë të pranishëm këtu dhe që këtu kanë vajtur në Turqi dhe anasjelltas. Ekziston një trashëgimi e madhe shpirtërore, e cila duhet të vlerësohet, kurse urat duhet të ndërthuren më intensivisht”, vlerëson Kaplanoglu.

“Toleranca e periudhës osmane duhet të rigjallërohet”

Kaplanoglu tha se çdo vend, çdo gjuhë, çdo qenie kulturore ka një cilësi unike, një gjuhë unike, një erë dhe një ngjyrë të veten. Ai është i mendimit që këto duhet të ruhen, që të gjithë duhet të kenë mundësi të shprehen në mënyrë paqësore dhe se të gjitha llojet e mendimeve dhe besimeve duhet të respektohen.

Duke theksuar se historia e dhimbshme e Ballkanit daton nga një e kaluar e afërt dhe se të gjitha kulturat e pranishme këtu duhet të përfaqësohen në mënyrë që këto të mos përsëriten, Kaplanoglu tha se toleranca e periudhës osmane duhet të rigjallërohet.

“Për këtë arsye, unë ndikohem nga dituria e lartë, mendimi që nxori në pah këtë qytetërim, mendimi i cili ndërtoi këtë vend dhe era e shpirtit të këtij rajoni. Në mënyrë që unë të bëj një film, unë duhet ta mbaj atë thesar dhe kjo do të thotë të ushqehem nga ai thesar”, thotë Kaplanoğlu, duke theksuar se ndikimet e këtij rajoni mundohet t’i shtojë në filmat e tij.

Ai thotë se në vend se të jetë lokal në filmat e tij, ai frymëzohet nga të diturit të cilët kanë jetuar në Ballkan, Anadoll dhe Azi.

“Në Turqi ka regjisorë shumë të vlefshëm”

Duke folur për aktivitetet e Institutit Yunus Emre në prezantimin e kulturës turke, konkretisht në fushën e kinematografisë, Kaplanoglu vlerëson:

“Mendoj se kinematografët e rinj në marrëdhënie me Institutin Yunus Emre do të nxiten për të bërë filma të rinj, filma të shkurtër dhe të prodhojnë projekte. Për këtë arsye, Yunus Emre kryen një shërbim të madh edhe për Turqinë, për kulturën dhe gjuhën turke, por edhe për njerëzit në vendet ku ajo ndodhet”.

Kaplanoglu po ashtu dha vlerësimin e tij edhe për serialet turke, duke thënë se ato radhiten të dytët në sektorin e serialeve botërore.

“Në të njëjtën kohë, në Turqi ka regjisorë shumë të vlefshëm, nëse do të përmendim emra nga brezi im, ata janë Zeki Demirkubuz, Nuri Bilge Ceylan, Derviş Zaim dhe të rinjtë. Ne përfaqësojmë kinemanë turke në festivalet e ndryshme anembanë botës në vendet ku shfaqim filmat”, tha Kaplanoglu.

“Filmat tanë në përgjithësi dhe në shumicën e rasteve pëlqehen. Në festivale synojmë çmime, madje në dhjetë vitet e fundit ka pasur shumë përmirësime, e në të njëjtën kohë edhe ministria e kulturës jep mbështetje intensive për filmin turk. Gjithashtu, mbështetje ofron edhe TRT. Për këtë arsye, për sa i përket të ardhmes, mendoj se do të ketë një të ardhme shumë më të mirë. Mjafton që të punojmë intensivisht dhe të zhvillojmë produksione”, shton ai.

Në filmin “Buğday”, ku Kaplanoglu është skenarist dhe regjisor, në rolet kryesore luajnë Jean-Marc Barr, Ermin Bravo, Grigory Dobrygin dhe Cristina Flutur, kurse filmi do të fillojë të shfaqet në Turqi më 24 nëntor./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit