Trump beson se Koreja e Veriut do ta mbajë fjalën

Mos i humb

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump shprehu besimin se Koreja e Veriut do t’i mbetet besnik fjalës së dhënë dhe se do t’i ndalë testimet e raketave.

Në një postim nga llogaria e tij në rrjetet sociale, Trump ka nënvizuar se Koreja e Veriut që nga muaji nëntor nuk ka kryer ndonjë testim bërthamor. “Besoj se do ta mbajë fjalën e dhënë”, ka thënë Trump duke folur për liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un i cili “ka dhënë fjalën se nuk do të kryejë testime të tilla”.

Trump tha se lidhur me çështjen e Koresë së Veriut ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe dhe presidentin e Kinës Xi Jinping dhe se të dyja shtetet kanë vështrim pozitiv për një takim me Korenë e Veriut.

Presidenti amerikan gjatë fjalimit të tij në një tubim në Pennsylvania të mbajtur për mbështetje të kandidatit republikan për Kongresin Rick Saccone shprehu besimin se Koreja e Veriut dëshiron paqe. “Mendoj se tanimë ka ardhur koha për këtë”, ka thënë ai.

“Kush mund ta dijë se çfarë do të ndodhë? Mund të largohem menjëherë nga ai vend ose ulemi dhe mund të arrijmë marrëveshje të mëdha për botën”, ka thënë Trump, duke komentuar për atë në rast se mbahet takimi në fjalë.

Presidenti kinez tha se e çmon vullnetin e Trumpit për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Koresë së Veriut nëpërmjet rrugës politike. Ai shpreson në fillimin e sa më parë të dialogut mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut dhe të dyja shtetet të tregojnë përpjekje për rezultate pozitive.

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Korenë e Jugut, Chung Eui-Yong ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar ftesën nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe se në muajin maj ata do të zhvillojnë një takim.

“Presidenti Trump do të takohet me Kim Jong-un në muajin maj për të arritur qëllimin e pastrimit bërthamor në mënyrë të përhershme (të Gadishullit Korean). Kim po ashtu premtoi se që nga tani e tutje Koreja e Veriut do të shmang çdo test të raketave bërthamore ose balistike”, tha Yong.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders konfirmoi se Trump ka pranuar ftesën e liderit verikorean Kim Jong-un për takim, duke bërë të ditur se vendi dhe koha e takimit do të përcaktohen më pas.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit