Turqi, ora e parë mësimore pa nxënësen e vrarë nga PYD/PKK

Mos i humb

Nxënësit në qarqet Reyhanlı, Hassa, Kırıkhan dhe Kumlu të provincës Hatay në jug të Turqisë, ku pushimi i gjysmëvjetorit u vazhdua për një javë për shkaqe të sigurisë, filluan mësimin.

Ndërkaq, qetësia mbizotëroi në shkollën e nxënëses Fatma Avlar, e cila humbi jetën si pasojë e rënies së një rakete të hedhur nga terroristët e PYD/PKK-së në shtëpinë e saj.

Avlar humbi jetën pasi terroristët nga Afrini shkrepën një raketë në drejtim të qytetit Reyhanlı, distrikt i provincës Hatay, më 31 janar të këtij viti. Sikurse në shkollat e tjera, edhe në shkollën ku ajo mësonte, sot ra zilja e parë pas pushimit dimëror.

Avlar, 17-vjeçare, kishte ëndërruar që një ditë të bëhej mësuese. Ajo nuk arriti të vazhdojë shkollimin, pasi terroristët ia pamundësuan këtë ëndërr. Në bankën e saj, nxënësit e klasës vendosën fotografinë e saj dhe lule. Në orët e para mësimore, shumë nxënës dhe mësues nuk arritën t’u përmbahen lotëve ndërsa disa prej nxënësve erdhën në shkollë me fanella në të cilat kishin vendosur fotografinë e Fatmas.

Shoqja e klasës e Avlarit, Elanur Sürücü, tha se Fatma ishte person shumë zemërmirë dhe përpiqej ta realizonte ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese.

“Gjatë sulmeve me raketa, ajo u thoshte të gjithëve që të luten. Asnjëherë nuk do ta harrojmë dhe do ta mbajmë të gjallë kujtimin për të”, tha Sürücü.

Ndërkaq, drejtori i shkollës, Isa Benli, tha se ndiejnë dhimbje të thellë për humbjen e Fatmas, për të cilën theksoi se ishte shembull për të gjithë shokët dhe shoqet e saj.

Ai tha se dëshira e tyre më e madhe është që të mos harrohet Fatma.

Organizata terroriste PYD/PKK ka vrarë një total prej shtatë civilësh dhe ka plagosur 113 të tjerë në provincat kufitare të Hatay dhe Kilis që nga data 21 janar, një ditë pasi Turqia nisi operacionin antiterrorist “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë.

Deri më sot, PYD/PKK ka shkrepur 60 raketa ose mortaja nga Afrini në zonat civile në Hatay dhe 34 raketa ose mortaja në zonat e banuara në Kilis./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit