Turqia dhe SHBA plan trefazësh për Munbixhin

Mos i humb

Terroristët e YPG/PKK-së të vendosur në bregun perëndimor të lumit Eufrat do të tërhiqen brenda një muaji nga rajoni sipas një plani të Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që pritet të hyjë në fuqi më 4 qershor.

Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga burime që kanë marrë pjesë në bisedime, SHBA dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje teknike për tërheqjen e YPG/PKK-së nga Munbixhi që mban nën okupim, që gjendet në perëndim të lumit Eufrat në veri të Sirisë.

Megjithatë, marrëveshja do të shpallet me takimin përfundimtar mes shefave të diplomacive të dy vendeve Mevlüt Çavuşoğlu dhe Mike Pompeo, që do të mbahet në Washington më 4 qershor.

Burimet theksojnë se mund të ketë ndryshime në disa detaje të takimit të Washingtonit, por pikat kryesore të dakorduara në bisedimet teknike do të ruhen.

Nëse më 4 qershor hidhen firmat përfundimtare në marrëveshje, njësitë e YPG/PKK-së do ta braktisin Munbixhin brenda 30 ditëve të para.

Ndërkohë, sipas të dhënave që AA siguroi nga burime të inteligjencës së Turqisë, krerët e organizatës terroriste në Munbixh kanë filluar të largohen nga qyteti, duke shkuar në qytetin Ajnularab në lindje të Eufratit pranë kufirit me Turqinë, si dhe në qytezën Ajn Isa.

Por, organizata ende nuk i ka nisur përgatitjet për tërheqje të plotë.

– Faza e dytë dhe e tretë

Në fazën e dytë të paraparë sipas marrëveshjes për Munbixhin, në fund të një periudhe 45 ditore pas 4 qershorit, palët turke dhe amerikane pritet të nisin një kontroll të përbashkët në qytet me njësitë ushtarake dhe ato të inteligjencës.

Detajet e mekanizmit kontrollues do të mund të modifikohen sipas nevojave në terren.

Në fazën e tretë të marrëveshjes parashihet themelimi i qeverisjes lokale në Munbixh në një periudhë 60 ditore pas 4 qershorit.

Në qytet do të formohet këshilli ushtarak, që do të garantojë sigurinë e qytetit, dhe këshilli lokal, që do të merret me shërbime, sipas përbërjes etnike të popullsisë.

Teksti i marrëveshjes do të marrë formën përfundimtare në takimin e Washingtonit të nivelit ministror javën e ardhshme.

Ndryshe, YPG/PKK me ndihmë të SHBA-së në gusht të vitit 2016 okupoi qytetin e Munbixhit pas e mori kontrollin nga organizata terroriste DEASH.

SHBA, e cila ka mbështetur YPG/PKK-në nën pretekstin e luftës kundër DEASH-it, i kishte garantuar Turqisë se YPG/PKK do të tërhiqej nga qyteti pas pastrimit nga DEASH-i, por një gjë të tillë nuk e ka realizuar.

Mbi 90 për qind e popullsisë së Munbixhit përbëhet nga arabët./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit