“Turqia ka aftësi të kryejë operacionin në Afrin dhe të kontrollojë Egjeun”

Mos i humb

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Hulusi Akar, tha se Turqia ka aftësinë të kryejë operacion në Afrin dhe në të njëjtën kohë të kontrollojë Egjeun.

Përmes një avioni për Lajmërim dhe Kontrollim nga Ajri (HIK), Akar mbikëqyri aktivitetet e forcave tokësore dhe të forcave ajrore të Turqisë që marrin pjesë në operacionin në veri të Sirisë, ndërsa u shoqërua nga komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Yasar Guler, komandanti i Forcave Detare, Admiral Adnan Özbal, si dhe nga komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Hasan Kuçukakyuz.

Nga komandantët në rajon, gjenerali Akar ka marrë informacione rreth operacioneve dhe aktiviteteve të zhvilluara në rajon dhe ka dhënë direktiva në lidhje me to.

Pasi ka mbërritur në zonën e Egjeut, Akar nga avioni HIK ka kontrolluar punimet e kryera nga forcat detare dhe ajrore me detyrë në Mesdheun Lindor dhe në Detin Egje. Më tej Akar ka kaluar në Izmir, duke u informuar mbi ecurinë e punimeve të qendrës së vëzhgimit dhe koordinimit të forcave detare, ku është takuar me komandantët.

Në një fjalim gjatë kontrollit dhe vëzhgimeve, Akar ka njoftuar se Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) vazhdojnë me vendosmëri operacionet kundër terrorizmit në lindje dhe juglindje.

Akar vuri në dukje se është duke vazhduar me sukses lufta kundër të gjitha organizatave terroriste në Irak dhe në veri të Sirisë, duke shtuar se Turqia e ka ndërmarrë Operacionin Dega e Ullirit në kuadër të të drejtës për vetëmbrojtje, që buron nga ligjet ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së.

“Turqia nuk synon territorin e askujt. Operacioni po kryhet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë. Objektivi themelor i operacionit është vendosja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe menjëherë pas kësaj, rikthimin e vëllezërve tanë sirianë të cilët janë dëbuar me forcë nga vendi i tyre”, tha shefi i ushtrisë turke.

Akar potencoi se TSK është e vendosur të mbrojë të drejtat dhe interesat e Turqisë në Mesdheun Lindor dhe në Detin Egje, duke shtuar se ushtria turke mund të kontrollojë tërë Mesdheun Lindor dhe Egjeun me teknologjinë e lartë që kanë në dispozicion.

“Ne kemi aftësinë të kryejmë operacion në Afrin dhe në të njëjtën kohë të kontrollojmë Egjeun”, tha ai.

Ndryshe, Akar brenda ditës kreu kontrolle dhe inspektime në tri rajone të ndryshme të vendit, ndërsa më pas ka informuar edhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan në lidhje me zhvillimet./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit