Turqia kundërshton sanksionet amerikane lidhur me blerjen e sistemit S-400

Mos i humb

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavuşoğlu, ka kundërshtuar kërcënimet për sanksione amerikane lidhur me blerjen e sistemin rus për mbrojtje raketore S-400 nga ana e Ankarasë.

“Pa marrë parasysh vendimet për sanksione, pa marrë parasysh çfarë deklarata vijnë nga SHBA-të, ne veçse kemi blerë S-400-shin”, tha Mevlut Çavuşoglu pas një takimi dypalësh me homologun e tij nga Ruanda.
“Ne tani po bisedojmë se kur do të dorëzohet S-400-shi në Turqi. Nuk është e mundur që ne të heqim dorë nga blerja e S-400-shit”, shtoi ai.
Lidhur me hapat e fundit të SHBA-ve për të larguar Turqinë nga programi për avionin luftarak F-35, duke pretenduar se këto dy janë të papërshtatshme, ai tha se partnerët tjerë të programit F-35 nuk mbështesin këto hapa.
“Të gjitha vendimet duhet të merren me konsensus”, tha Çavusoglu, duke rikujtuar se Turqia është po ashtu partner i programit dhe se ka dhënë kontribut të madh.
“Hapat e këtillë të ndërmarrë nga SHBA-të nuk janë në përputhje me marrëveshjen për partneritet apo me ligjin”, tha ai, duke shtuar se Washingtoni nuk u pajtua me asnjërin nga propozimet turke për zgjidhjen e çështjes.
Tensionet mes Turqisë dhe SHBA-së janë përshkallëzuar në muajt e fundit pasi Turqia pritet të fillojë me pranimin e sistemit të avancuar S-400 me raketa sipërfaqe-ajër nga Rusia, për të cilin Washington-i thotë se do të rrezikojë rolin e Turqisë në programin amerikan për avionë luftarakë F-35 dhe do të shkaktojë sanksione.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore nga SHBA-të, Ankaraja në vitin 2017 vendosi të blejë sistemin mbrojtës rus S-400.
Zyrtarët amerikanë e kanë këshilluar Turqinë që të blejë mburojën raketore amerikane Patriot në vend të S-400-it, duke thënë se sistemi rus nuk do të ishte në përputhje me sistemet e NATO-s dhe se do të ekspozonte avionin F-35 ndaj një dredhie të mundshme ruse.
Megjithatë, Turqia ka theksuar se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbënte rrezik për aleancën.
Turqia ka bërë thirrje për formimin e një komisioni për të sqaruar çështjet teknike, mirëpo SHBA-të nuk iu kanë përgjigjur këtij propozimi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit