Turqia thirrje Indisë dhe Pakistanit për “vetëpërmbajtje dhe sens të përbashkët”

Mos i humb

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, lidhur me tensionin mes Indisë dhe Pakistanit tha se “Ne jemi të shqetësuar për tensionet dhe u bëjmë thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe sens të përbashkët”.

Në një deklaratë për gazetarët, Çavusoglu tha se pas rritjes së tensioneve në Kashmir është rritur edhe tensioni mes Pakistanit dhe Indisë.

“Në lidhje me çështjen jam informuar nga ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, tha Çavusoglu duke rikujtuar se ditën e djeshme në qytetin Xhide është zhvilluar edhe takimi i Grupit të kontaktit për Kashmirin i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI).

“Ne sigurisht që jemi të shqetësuar nga ky tension. U bëjmë thirrje palëve për sens të përbashkët si dhe të shmangen nga hapat që do të shkaktojnë përshkallëzim të tensioneve,” tha Çavusoglu.

“Problemi i Kashmirit duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur në kuadrin e të drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB) në mënyrë që të eliminohet problemi që shkakton tension të vazhdueshëm mes dy vendeve. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme edhe për popullin e Kashmirit”, tha shefi i diplomacisë turke.

“Ne si Turqi gjithmonë dëshirojmë të japim kontributin në uljen e tensioneve dhe për zgjidhjen e këtyre problemeve duke përfshirë edhe Kashmirin”, tha ndër të tjera Çavusoglu, i cili ka theksuar se janë të gatshëm të bëjnë pjesën e tyre në zgjidhjen e këtij problemi.

– Procesi i paqes në Afganistan 

Më tej Çavusoglu ka shtuar se ky tension ndikon edhe në procesin e paqes së Afganistanit dhe është shprehur se “Nëse në ndonjë vend ka tension është e pamundur që kjo të mbesë vetëm e kufizuar mes dy vendeve ose vetëm me Kashmirin. Kjo reflekton edhe në rajon dhe tek të gjithë ne. Tashmë e gjithë bota është përqendruar këtu”.

Pasi ka deklaruar se përgëzojnë rolin konstruktiv që Pakistani ka luajtur kohët e fundit në zgjidhjen e problemit të terrorizmit në Afganistan, ministri Çavusoglu tha se “Edhe Pakistani ka vuajtur gjithashtu nga kërcënimet dhe sulmet terroriste. Aktualisht së bashku me Afganistanin bashkë-kryesojmë në procesin e Stambollit për të përshpejtuar procesin e Afganistanit. Shpresojmë që ky takim të mbahet në një kohë kur presidenti ynë ta konsiderojë të përshtatshëm pas zgjedhjeve. Këtë takim do ta zhvillojmë në bashkëpunimin Turqi, Pakistan dhe Afganistan. Presidenti ynë këtë çështje e diskutoi edhe me presidentin afgan Ashraf Ghani. Që të dyja palët janë pro realizimit të këtij samiti”.

Afganistani aktualisht për përballet me shumë vështirësi tha ministri Çavusoglu, duke shtuar se “Afganistani nuk duhet të ndikohet nga tensioni i përjetuar mes të dy vendeve. Edhe ne jemi të ndjeshëm në këtë çështje si Turqi”.

Duke theksuar se nuk kanë pasur kontakte me Indinë deri më tani, Çavusoglu tha “Ne jemi të hapur për dialog dhe sigurisht që do të dëshironim ta diskutojmë këtë me Indinë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit