Unaza, tenderat drejt anulimit. “Salillari” dhe “Viktoria Invest” kanë ndalur punimet

Mos i humb

Qeveria mund të anulojë tenderat edhe për dy lotet e tjera të “Unazës së re”, duke shfuqizuar kontratat me kompanitë fituese. Vendimi, i cili përflitet prej disa javësh, pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.

Punimet për segmentin e unazës, nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i “Shqiponjës”, janë ndarë në 3 lote. Tenderi për lotin e parë parë u fitua nga kompania “DH Albania”, por pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar u detyrua ta anulonte kontratën me këtë kompani.

Ky segment u ritenderua, por edhe pse në tenderin e dytë ofertat zbritën deri në 4 milionë euro më pak nga hera e parë, Autoriteti Rrugor sërish nuk shpalli asnjë fitues, duke skualifikuar të 6 ofertat pjesëmarrëse me argumentin se nuk përmbushnin kriteret teknike.

Për dy lotet e tjera, tenderat janë fituar nga “Salillari” dhe “Viktoria Invest”. Këto kompani nisën madje edhe punimet në terren, por prej disa javësh makineritë janë larguar të gjitha. Burime konfidenciale i thanë Top Channel se, edhe këto dy tendera mund të anulohen, ndërkohë që projekti i segmentit nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i “Shqiponjës” do të ribëhet nga e para.

Këtë të dielë, Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkoi qeverisë publikisht që të anulojë komplet projektin për këtë segment, pasi sipas tij ka shkelje ligjore. Mbetet e paqartë nëse presidenti kishte informacion paraprak se qeveria po e shqyrtonte ndërkohë anulimin e projektit.

Por, përtej këtyre hollësive, tashmë duket e sigurtë se projekti i shumëpërfolur i unazës, në segmentin nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi do të ndryshojë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit