Vazhdon të rritet numri i viktimave nga Covid-19 në Indi, Brazil dhe Meksikë

Mos i humb

Për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) në 24 orët e fundit në Indi janë shënuar 1.132 vdekje, në Brazil 987, ndërsa në Meksikë 300.

Në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë së Indisë thuhet se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 97.894 raste të reja, duke e rritur në 5.118.253 numrin e të infektuarve ndërsa me 1.132 vdekjet e reja, numri i viktimave nga COVID-19 është rritur në 83.198.

Deri më tani, numri i personave që janë shëruar nga COVID-19 në Indi ka arritur në 4.025.079.

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me COVID-19, India radhitet në vendin e dytë në botë për sa i përket numrit të rasteve.

Brazil

Ministria e Shëndetësisë së Brazilit njoftoi se me 36.820 raste të reja që janë regjistruar në 24 orët e fundit, ka arritur në 4.419.083 numri i rasteve me COVID-19 në vend ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 134.106 me 987 vdekje të reja.

Ndërkohë, numri i personave të shëruar nga virusi ka arritur në 3.720.312.

Me një popullsi prej më shumë se 211 milionë banorësh, Brazili pas SHBA-së dhe Indisë radhitet i treti në botë përsa i përket numrit të rasteve.

Meksikë

Ministria e Shëndetësisë së Meksikës njoftoi se me 300 vdekjet e reja të shënuara në 24 orët e fundit, numri i viktimave nga COVID-19 në vend është rritur në 71.978. Ndërkaq, me 4.444 raste të reja, numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur në 680.931.

Deri më tani, në vend janë shëruar 485.024 persona të prekur me COVID-19.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Meksikë tejkaloi për herë të parë shifrën 500 më 27 maj. Në Meksikë, rasti i parë me COVID-19 u regjistrua më 28 shkurt ndërsa vdekja e parë më 19 mars.

OBSH: Hapja e hershme në Amerikën Latine i jep hapësirë për përhapje COVID-19

Drejtoresha rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Carissa Etienne, ka paralajmëruar se Amerika Latine ka filluar një kthim shumë të shpejtë në normalitet, pas situatës së krijuar nga koronavirusi i ri (COVID-19).

“Amerika Latine ka filluar jetën shoqërore dhe publike pothuajse normale në një kohë kur COVID-19 akoma kërkon ndërhyrje madhore të kontrollit”, tha Etienne, duke folur në një konferencë virtuale nga Washingtoni.

Ajo theksoi se rastet e koronavirusit në zonën kufitare të Kolumbisë dhe Venezuelës janë rritur dhe se shkalla e vdekjeve po rritet në pjesë të Meksikës, Ekuadorit, Kosta Rikës, Bolivisë dhe Argjentinës.

“Ne duhet të jemi të qartë se hapja shumë e hershme i jep këtij virusi më shumë hapësirë për t’u përhapur dhe i vë popullatat tona në rrezik të madh. Shikoni jo më larg se Evropën”, tha Etienne.

Amerika Latina ka regjistruar mbi 8.5 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 315 mijë vdekje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit