Vdekjet në vendet e punës dhe heshtja e institucioneve të Kosovës

Mos i humb

Edhe dy viktima iu shtuan listës së zezë të njerëzve që humbën jetën në vendin e punës. Askush nuk dha llogari për ta, as edhe një zyrtar nuk u shkarkua, asnjëri nuk dha madje as dorëheqje morale, informacioni thjeshtë u përtyp në kuadër të kronikave të zakonshme të lajmeve ditore dhe asgjë më shumë. Dy të tretat e popullsisë në Kosovë, konsiderohen të jenë shtresë që e plotësojnë kriterin e moshës së punës. Pra ata u përkasin moshave ndërmjet pesëmbëdhjetë (15) deri në gjashtëdhjetekatër (64) vjeç. Ndërkohë që sektori që ofron më së shumti mundësi punësimi, është ai i ndërtimtarisë. Por numri i lartë i viktimave në vendet e tyre punës, flet për një mungesë të theksuar të sigurisë që e karakterizon këtë sektor, mungesë kjo për të cilën dikush do të duhej të jepte llogari – shkruan Gazeta e Re.

Afro njëqind punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës në këto pesë vitet e fundit. Dhjetëra të tillë vetëm brenda këtyre pak muajve të këtij viti. Një shtatëmbëdhjetë vjeçar (17) dhe një shtatëdhjetenjë (71) vjeçar, janë viktimat e fundit të cilët iu shtuan listës së gjatë e të zezë. Ndërsa institucionet vendore, për çudi, vazhdojnë të heshtin.

Shkalla e punësimit sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në tremujorin e parë të këtij viti është vetëm 28.8%. Ndërsa ndër sektorët ku të rinjtë më së shpeshti gjejnë mundësi punësimi, radhitet edhe ai i ndërtimtarisë. Por ndërtimtaria, del me qenë, fushëbetejë e vërtetë. Të gjitha viktimat, pothuajse, vijnë nga kjo anë.

Kumti për vdekjet e fundit, u shoqërua nga reagime të zbehta. Vetëm në rrjetet sociale, qytetarët e revoltuar, kritikuan ashpër institucionet relevante, në veçanti duke zbrazur mllefin edhe ndaj zyrtarëve më të lartë. Artisti i njohur Kushtrim B. Mehmeti, i njohur për performancat e tij artistike me karakter kritikë ndaj institucioneve, ka kohë që solidarizohet me familjet e viktimave. Ai madje ka bërë thirrje disa herë për të protestuar, duke marr për shkak humbjet e njëpasnjëshme të jetëve të punëtorëve të ndërtimtarisë, në vendet e punës. I kontaktuar nga Gazeta e Re, ai ka shprehur revoltën e tij për këtë heshtje të tmerrshme që po i karakterizon institucionet.

<<…është një tren që po tërheq tani 92 vagonë për 5 vite. Sa i përket qasjes së zyrtarëve, ata nuk po marrin mundin as keqardhje të shprehin dhe kjo po ndikon më së shumti në humbjen e shpresës se familjarëve që të kërkojnë drejtësi. Zyrtarët vetëm po heshtin!>>

Ai këtë heshtje po e ndërlidhë me faktin që prapa këtyre ndërtimeve, qëndrojnë “bossët” e mëdhenj, të cilët, në një mënyrë a në një tjetër, kanë lidhje me zyrtarët e lartë të shtetit, prandaj edhe arrijnë të heshtin çdo gjë.

I pyetur nëse thirrjet e tij virtuale, kanë ndikuar sadopak në zgjimin e ndërgjegjes së opinionit publik ai tha se:

<<Nëse arti im nuk do t’i shërbente shoqërisë, atëherë nuk do të merresha me art. Historikisht, funksioni i tij nuk ka qenë vetëm i karakterit argëtues, por ai u ka shërbyer shoqërive edhe si zë proteste, zë revolte dhe pse jo si vetëdijesim. Artistët në veçanti janë persona me ndjeshmëri më të lartë. Ata reagojnë ndaj dukurive që për masat mund të shndërrohen në diçka “normale”, prandaj edhe qëllimi im kryesor ka qenë që të ndikojë sadopak në vetëdijesimin e shoqërisë, për sa i përket dukurisë së vdekjeve në vendet e punës.>>

Mehmeti mendon që ka nevojë për një mbështetje më të madhe, meqë qëllimi i tij nuk është realizuar ende. Por ai, megjithatë, ka shpresë:

<<Tanimë po e shoh një dritë shprese, sepse ka shume punëtorë që më kanë kontaktuar për të më treguar më shumë, sepse veç vdekjeve në vendet e punës, janë shqetësuese edhe lëndimet të cilat ani që ndodhin çdo ditë, nuk raportohen kurrë>>.

Koalicioni për Barazi Sociale, para disa muajsh reagoi pas një rasti të tillë, ku një njëzetenëntë vjeçar (29) humbi jetën në vendin e punës, duke kërkuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryekuvendari Kadri Veseli dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të ndërmarrin diçka në lidhje me këtë dukuri, por duket që ndërgjegjja e fjetur e zyrtarëve të përmendur, nuk është trazuar aspak. Heshtja e institucioneve, tingëllon si një vrasje për së dyti e të gjitha viktimave të rëna në vendet e punës./ImerTopanica/Gazetaere.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit