Veliaj: Luli dhe Jorida e sabotuan për zyra shkollën e fëmijëve të Njësisë 8

Mos i humb

Edhe sot, këshilltarët e opozitës e braktisën mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku pritej të miratoheshin disa projektvendime të rëndësishme për qytetarët e Tiranës. Mes tyre ishte edhe vendimi që rihap një shkollë në Njësinë 8, të cilës administrata e kaluar e Bashkisë së Tiranës, e drejtuar nga Lulzim Basha dhe Jorida Tabaku, të dy banorë të kësaj njësie, i kishte ndryshuar destinacionin, duke e kthyer në zyra për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh i zhgënjyer që këshilltarët e opozitës e braktisën mbledhjen, pikërisht duke mos votuar as për kthimin e kësaj shkollë për fëmijët e Njësisë 8.

“Njësia 8 i ka dhënë mandatin e kaluar edhe për kryetar, edhe për nënkryetar të Bashkisë, Lulit dhe Joridës. Por, prona te Medreseja, ku sot ka zyrat UKT-ja, në fakt në versionin e vet origjinal ka qenë shkollë. Saliu, ngaqë i falimentoi të gjitha kompanitë, filloi t’i degdiste nëpër bashki dhe Bashkia i çoi zyrat e UKT-së në një shkollë, te Medreseja për njësinë 8. Ne sot duam të marrim vendimin për ta çuar UKT-në te inkubatori i biznesit dhe të lirojmë një shkollë për Njësinë 8. Kush është oligark, kalamajtë e Njësisë 8? Si do shkojë Luli dhe Jorida te Njësia 8 e t’u thonë banorëve: Mirë, kur ishim kryetar dhe nënkryetar të bashkisë s’bëmë asnjë punë, por tani s’duam ta votojmë këtë vendim, që t’u kthejmë shkollën fëmijëve tuaj? Unë ju garantoj për një gjë: Në qershor, jo vetëm do fitojmë bindshëm bashkinë, por do kemi shumicë absolute për të vendosur për qytetin e Tiranës sepse njerëzit i pane kush janë këta. Për një çikë “shoë” janë gati të përshtyjnë gjithçka. Ka një problem, po përshtyve shumë lart të bie fytyrë. Nuk mund të pështyhet gjithçka, sidomos punë që janë nisur dhe s’po bitiseshin në mandatin e tyre”, tha Veliaj.

Teksa shprehu bindjen për një fitore absolute në Tiranë qershorin e ardhshëm, Veliaj nënvizoi se Basha dhe Tabaku u mohuan për shumë vite fëmijëve të Njësisë 8 që të studionin në një shkollë ku bëhet mësim me një turn. “Si do kenë fytyrë te shtëpia e tyre dhe e prindërve të tyre, si Luli, si Jorida, të kthehen te Njësia 8 dhe të thonë: Ikëm, e bojkotuam vendimin që e çliron godinën, u mohuam kalamajve të Njësisë 8 shkollën me një turn. Si do kenë fytyrë, do shkojnë nesër të kërkojnë votat?”, deklaroi Veliaj./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit