Vendimi i Haradinajt për rritje selektive të pagave, rrezikon ligjin e ri të pagave !

Mos i humb

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të kabinetit qeveritar të Ramush Haradinajt sa i përket vendimit për rritje pagash.
Në mbledhjen e Qeverisë e cila u mbajt gjatë javës së kaluar, Haradinaj kërkoi nga Ministria e Financave dhe organet e tjera ta zbatojnë këtë vendim.

Po ashtu, kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike që vendimin e datës 20 dhjetor 2017 ta akomodojë brenda Projektligjit të ri për Pagat.

Mirëpo, vendimi i Haradinajt është në kundërshtim me ligjin e ri i cili pritet të bëjë nivelizimin e pagave për gjithë shërbyesit civil. Kjo pasi projektligji i ri thotë se nuk mund të ketë pabarazi në paga, e Haradinaj tashmë ka bërë diskriminim.

Sekretari i Përgjithshëm në ZKM i cili është nëpunës civil, iu ka rritur paga mujore në vlerë prej 1,700 euro.

Drejtori i Zyrës Ligjore dhe Drejtori i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë po ashtu nëpunës civil iu ka caktuar paga bazë mujore 1,200 euro.

Ngritje të pagës kanë marrë edhe Zyrtarët e Lartë në Zyrën Ligjore, Sekretariatin Koordinues të Qeverisë dhe Zyrën për Komunikim Publik etj., po ashtu staf civil.

Ky gjest i Haradinajt shkakton komplikime në hartimin e projektligjit të ri brenda të cilit thuhet:

Për të siguruar rregullim sa më unik dhe me qëllim të shmangen devijimet nga përcaktimet e këtij ligji, pagat do të bazohen në bazë të këtyre parimeve bazë.

parimi i pagës së barabartë – nënkupton që secili përfitues i pagës merr pagë të barabartë për punën në funksionin, pozitën apo gradën e njëjtë apo të krahasueshme;

parimi i transparences – nënkupton që niveli i pagës është transparent;

parimi i ligjshmërisë – nënkupton që pagat e përfituesve përcaktohen në pajtim me ketë Ligj;

parimi i mos-diskriminimit – nënkupton që asnjë përfitues i pagës nuk diskriminohet në pagë, ashtu siç përcaktohet në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.

Theksojmë se pas vërejtjeve që i kishte bërë Zyra e Bashkimit Evropian dhe pas kërkesave që Projektligji për pagat të procedohet në Kuvend bashkë me projektligjet për ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil dhe Ligjit për organizimin e administratës publike, dhe ky ligj pritet të procedohet nga Qeveria në Kuvend gjatë vitit 2018.

Ndërkohë shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë sot se vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar në Kosovë duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i Ligjit të ri për pagat.

Sipas saj, ky vendim është në kundërshtim me qëllimet e përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, meritore, koherente dhe llogaridhënëse.

Ligji i hartuar nga Ministria e Administratës Publike së bashku me dy projektligje tjera janë ende në fazën e dëgjimit publik.

Haradinaj është arsyetuar se vendimi për rritjen e pagave nuk do të thotë se do të jetë i përhershëm pasi ai do të mund të rregullohet me anë të këtij ligji.

Sipas vendimit për rritjen e pagave, kryeministri nga 1,500 euro sa ka marrë tani do të marrë 2,950 euro ndërsa zëvendëskryeministrat nga 1,300 euro në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Ndërsa, mbi 70 zëvendësministra të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.

Po ashtu, ky vendim ju ka rritur pagën edhe 600 gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me ose pa vetëdije, Haradinaj ka vendosur që t’ia rris pagën edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për 25 për qind.

Në bazë ligjeve Paga e Presidentit të Republikës gjithmonë duhet të jetë së paku 25 për qind më e lartë se të ardhurat e përgjithshme të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe udhëheqësve të tjerë institucional.

Bazuar në faktin se Haradinaj ka anashkaluar rritjen e pagave mbi bazën e koeficienteve kur ka rritur pagën e tij, ligjet në fuqi i garantojnë rritje page edhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, shkruan lajmi.net. Nivelizimi i pagave ishte tentuar të rregullohej edhe në fund të vitit 2016, kur qeveria udhëhiqej nga Isa Mustafa./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit