“Vendimi nga negociatat Maqedoni e Veriut-Greqi, në bazë të paritetit”

Mos i humb

Zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha dhe Mile Boshnjakovski, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media në të cilën kanë njoftuar për vendimet e marra në mbledhjen e 135-të qeveritare.

Zëdhënësi Boshnjakovski tha se qeveria ka aprovuar 18 kërkesa për koncesione për hidrocentrale të vogla, ndërsa 3 oferta janë refuzuar. Boshnjakovski u pyet për negociatat e Maqedonisë së Veriut me Greqinë lidhur me markat tregtare, ku tha se marrëveshja do të jetë në bazë të paritetit, respektivisht vendimi do të vlejë njëjtë për të dyja palët.

“Në Marrëveshjen e Prespës qartë është përcaktuar korniza në të cilën negociojnë dy komisionet, konkretisht për markat tregtare. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme, të rikujtoj, është se punohet në bazë të paritetit, dhe punohet në frymën e fqinjësisë së mirë, miqësisë”, tha Boshnajkovski, duke shtuar se puna e këtij komisioni do të zgjasë dhe se do të ketë më shumë sesione.

Zëdhënësi Hoxha njoftoi se me zgjedhjen e Stevo Pendarovskit për president të vendit, qeveria i ka ndërprerë mandatin e funksionit të tij të mëparshëm, Koordinator kombëtar për përgatitje të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO.

“Qeveria vendosi që deri në anëtarësimin e plotfuqishëm të vendit tonë në NATO, obligimet e Koordinatorit kombëtar për përgatitje të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO t’i marrë Dane Taleski, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Hoxha.

Në konferencën për media gjithashtu u tha se është miratuar informata për nivelimin e pagave në sferën e kulturës, me çka 2899 të punësuar do të kenë rritje të pagave duke filluar nga paga e muajit prill.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit