Veseli vizitë zyrtare në Kroaci, takon kryeministrin Plenkoviç

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës së tij zyrtare që po zhvillon në Kroaci, është pritur sot në takim nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Plenkoviq, diskutuan për raportet e shkëlqyera që dy shtetet tashmë kanë ndërtuar midis tyre dhe miqësinë e thellë midis popullit të Kosovës dhe atij të Kroacisë.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi kryeministrin kroat për rolin e Kroacisë në sigurinë e Kosovës, duke kontribuar me prezencën ushtarake në KFOR, si dhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që po i jep FSK-së.

Veseli e konsideroi të nevojshëm vazhdimin e mbështetjes së shtetit kroat për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës si faktor paqeje, bashkëpunimi dhe integrimi në BE dhe NATO.

Kryetari i Kuvendit ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të dokumentit për Partneritet Strategjik me Kroacinë, ndërsa ftoi investitorët kroatë për prezencë më të madhe në tregun e Kosovës.

“Ligjet e Kosovës janë të favorshme dhe tashmë është edhe korniza e marrëveshjeve që i lehtësojnë këto investime. Kemi shumë mundësi bashkëpunimi ndër shtetëror në fushën e ekonomisë. Me kryeministrin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, konkretisht për rihapjen e Zyrës Ekonomike të Kroacisë në Kosovë dhe mundësinë e lëshimit të linjës ajrore Zagreb-Prishtinë”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi idenë për hapjen e katedrës së gjuhës kroate në Prishtinë dhe asaj shqipe në Zagreb, ndërsa në fushën e shëndetësisë e konsideroi të vyer përvojën kroate në menaxhimin e spitaleve dhe sigurimet shëndetësore.

Në takim me kreun e qeverisë kroate, u diskutua edhe për pozitën e shqiptarëve në Kroaci, por edhe të kroatëve në Kosovë. Veseli konfirmoi angazhimin e tij për përmirësimin e standardit të jetesës së kroatëve në vendbanimet e tyre në Kosovë.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për arritjet e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmoi përkushtimin e Zagrebit zyrtar për t’i ofruar Kosovës gjithë mbështetjen e mundshme në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. /Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit