“Viktimat e dhunës nuk mund të mbesin në mëshirën e pushtetit të burrave të korruptuar”

Mos i humb

Viktimat e dhunës nuk mund të mbesin në mëshirën e pushtetit të burrave të korruptuar. Strehimoret e viktimave të dhunës ballafaqohen me problem të ndryshme e shumë prej tyre lidhen me natyrën financiare.

Ato janë krejtësisht të injoruara prej shtetit. Për këtë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media në të cilën folën drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në LV, Nazlie Bala dhe deputeti, Sami Kurteshi.

Siç u tha edhe nga dy folësit, kjo konferencë vjen pas vizitave që Sekretariati i Gruas ka bërë në strehimoret në qytete të Kosovës. Ata thonë se e tërë ndihma që shteti duhet t’u ofrojë viktimave është lënë në duar të strehimoreve dhe në të njëjtën kohë këto nuk mbështeten ose mbështeten fare pak financiarisht.

“Shuma që shteti shpenzon në ditë për viktimat është nga 1.7 euro deri në 7.6 euro maksimalisht. Një trajtim i tillë, është si formë dënimi në vend se të ishte raport kujdesi. Nganjëherë strehimoret detyrohen të pranojnë më shumë viktima sesa kanë kapacitet”, ka thënë Bala.

Bala mori shembullin e Gjakovës ku strehimorja ka kapacitet prej 16 shtretërve.

“Në ditën kur e kemi vizituar strehimoren kanë qenë 22 viktima, prej tyre kishte gra dhe fëmijë. Kjo strehimore qëndron më se keqi financiarisht”, tha ajo.

Bala dha shifrat për secilën strehimore se sa shpenzon shteti për një viktimë:

Strehimorja në Gjakovë – 1.75 euro

Strehimorja në Gjilan – 2.55 euro

Srehimorja në Prizren – 3.83 euro

Strehimorja në Mitrovicë – 7.76

Strehimorja në Ferizaj – 6.39 euro

“Këto shifra flasin se shteti nuk është në anën e të dobëtit. Madje edhe agresori që i këtyre rasteve merr më shumë kujdes prej shtetit. Disafish më shumë, shteti shpenzon për të burgosurit. Kjo tregon se statusi i viktimës është i papërfillshëm në shoqërinë tonë. Një gjendje e tillë vjen si pasojë e mos financimit, por vetëm subvencionimit nëpërmjet projekteve. Shuma që ju ndahet strehimoreve për një vit është 20.000 euro. Nga kjo shumë, 30 për qind ndahet paga për stafin. Paga e punëtorëve të strehimoreve shkon nga 120 euro deri në 170 maksimalisht”, tha ajo.

Deputeti Sami Kurteshi tha se ‘Forma më brutale e shprehjes së mentalitetit patriarkal dhe pushtetit të burrave të korruptuar është dhuna ndaj grave’.

“Pasojë e kësaj është numri i lartë i atyre që kërkojnë strehim e mbrojtje”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të punohet në parandalimin e dhunës, por në të njëjtën kohë që të ofrohet kujdes në nivel shtetëror për viktimat.

“Pavarësisht shifrave formale, dhuna është shumë më e madhe sesa raportimi. Andaj edhe reagimi shtetëror duhet të jetë më i madh”, tha tutje.

Kurteshi tha se kjo vjen si pasojë e shpërdorimit të pushtetit të burrave.

“Strehimoret në nivel vendi përveç certifikimit për shërbimet të cilat i ofrojnë, duhet të institucionalizohen dhe të zyrtarizohen ashtu që në buxhetin e shtetit ta kenë një zë buxhetor të veçantë”, përfundoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit