“Viti akademik fillon me auditorë të boshatisur”, LSI: 5 fakultete e përafërsisht 85 degë studimi rrezikojnë të mbyllen

Mos i humb

Nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehmetaj ka dalë sot para mediave ku përveçse ka uruar të gjithë të rinjtë që nisin vitin akademik, ka folur për një sërë problemesh me të cilat përballen të rinjtë.

Ajo akuzoi Ministrinë e Arsimit se pa kurrfarë përgjegjshmërie, një muaj përpara hapjes së konkursit ndryshoi “rregullat e lojës”, pra kriteret e pranimit duke lënë jashtë sistemit mijëra të rinj. Mehmetaj deklaroi se ky vendim, si edhe emigrimi masiv na kanë sjellë në situatën dëshpëruese ku rreth 5 fakultete e përafërsisht 85 degë studimi rrezikojnë të mbyllen.

Sipas saj, viti shkollor fillon me auditorë të boshatisur e të vetmet degë të kërkuara janë ato qe pajisin të rinjtë me profesione të kërkuara në Gjermani apo diku gjetkë në Europë.

DEKLARATA E PLOTË
Dita e sotme shënon nisjen e vitit të ri akademik për mijëra studentë shqiptarë. Kjo është një ditë tejet e rëndësishme mbi të gjitha për ato vajza e djem që për herë të parë u drejtohen sot auditorëve të fakulteteve për të nisur një fazë të re të jetës së tyre. Ndaj në emër të LSI dua t’ju uroj një vit të suksesshëm akademi me rezultate të larta. Por sot, përveçse të urojmë ata studentë që ia dolën të finalizojnë punën e tyre studimore të 12 viteve duke fituar të drejtën e studimit në degën e tyre të kërkuar, duhet të bashkohemi me ata maturantë që si rrjedhojë e sistemit të dështuar të pranimit në universitete janë jashtë dyerve të universiteteve dhe larg preferencave të tyre.

Edhe këtë vit, pa kurrfarë përgjegjshmërie, madje duke treguar dashakeqësi, Ministria e Arsimit, një muaj përpara hapjes së konkursit ndryshoi “rregullat e lojës”, pra kriteret e pranimit duke lënë jashtë sistemit mijëra të rinj. Ky vendim, si edhe emigrimi masiv na kanë sjellë në situatën dëshpëruese ku rreth 5 fakultete e përafërsisht 85 degë studimi rrezikojnë të mbyllen. Janë rreth 50% të kapaciteteve akomoduese të universiteteve që kanë mbetur bosh, ndërkohë që të rinjtë tanë e gjejnë veten të papunë e të pashkollë me vetëm një zgjidhje në mendje, largimin nga vendi.

Ky vit akademik nisi me një ngjarje shumë të rëndë, që reflekton sjelljen abuzive që qeveria ka ndaj universitetit, me grabitjen e Kopshtit Botanik, të vetmit laborator natyror që i kishte mbetur në administrim Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Edhe njëherë dhunshëm qeveria cenoi autonominë universitare.

Jo më larg se një javë më parë sërish qeveria i trajtoi si armike universitetet duke i hequr me anë të një akti normativ rreth 1.6 milionë euro.
Kambanës së mungesës së investimeve në arsim studentët i ranë edhe gjatë protestës së dhjetorit të kaluar, ku kërkuan ulje të tarifave e rritje të shërbimeve e cilësisë, por sërish arsimi sidomos ai i lartë vazhdojnë të jenë të nën investuara dhe Shqipëria gjendet e renditur në fund të listës së Europës dhe rajonit kur krahasohen buxhetet e arsimit.

Orëve pafund propagandistike në televizione të qeverisë rreth “paktit për universitetin” u doli boja, ashtu siç po u del boja fasadave të konvikteve që u lyen sa për sy e faqe, godinave të universiteteve që iu mungojnë laboratorët e bibliotekat po ashtu si edhe kartës së studentit që përveç se u shërben vetëm studentëve të Tiranës, nuk u ofron asgjë tjetër përtej shërbimeve të luksit. Pra nuk ka çmime të reduktuara për librat apo shërbimet kancelarike. Nuk ka tarifa të reduktuara për transportin interurban. Nuk ka zgjidhje për qiratë e kushtueshme të shtëpive apo edhe për kostot e larta për ushqim.

Protesta studentore e dhjetorit të kaluar, përveçse si një leksion i fortë demokracie, shërbeu për të kthyer në vëmendjen e të gjithë shoqërisë gjendjen e vështirë në të cilën gjendet arsimi, por me sa duket qeveria që mendjen e ka të përfitojë nga PPP-të e të dhunojnë qytetarët, arsimin e përçmon e do ta shohë të shkatërruar.

Ndaj në vend që sot viti shkollor të fillonte me ndryshime pozitive, fillon me auditorë të boshatisur e të vetmet degë të kërkuara janë ato qe pajisin të rinjtë me profesione të kërkuara në Gjermani apo diku gjetkë në Europë.

Për LSI, të rinj gjithmonë kanë qenë të parët, ndaj edhe njëherë dua të theksoj angazhimin tonë të palëkundur për të ndërtuar një arsim të lartë cilësor, ku studentët dhe formimi profesional i tyre është parësor. Ne vazhdimisht jemi të angazhuar dhe do të vazhdojmë të punojmë për të rritur investimet në arsim, për të rritur figurën e profesorit e zhvilluar dijen në përgjithësi. Sepse universiteti nuk mund të shërbejë vetëm për të marrë një diplomë të paguar shtrenjtë, por duhet të jetë dera që hapet për të ndërtuar një të ardhme dinjitoze për të rinjtë e shkëlqyer që rriten në Shqipëri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit