’Viti shkollor nuk do të përfundojë më herët’’, Shahini: Po përgatitemi për mësim online edhe pas 6 prillit

Mos i humb

Në fillim të video-mesazhit të saj, Ministrja Besa Shahini gjen rastin të adresojë një shqetësim në lidhje me një video të rreme, e cila ka qarkulluar kohët e fundit dhe ka krijuar përshtypjen se viti shkollor “gjoja do të përfundojë më herët”.

“Kjo nuk qëndron”, – thekson ministrja, “Kjo është një video e rreme që është krijuar duke këputur një prononcim timin ku flas për mbylljen e vitit shkollor. Që të mos kemi dilema, viti shkollor mbyllet në fund të vitit akademik, në fund të semestrit të tretë, dhe shpresojmë vetëm që nuk do të jemi të detyruar të shtyjmë datat e përfundimit të vitit shkollor, të shtyjmë datat e maturës”, sqaron ajo.

Ministrja Shahini i përgjigjet edhe një pyetjeje tjetër që vjen vazhdimisht nga nxënësit, e cila është se “kur kthehemi nëpër shkolla dhe a do të vazhdojë mësimi online nëse nuk fillojmë mësimin në shkollë me datën 6 prill?”.

“Patjetër. Ne po përgatitemi që të vazhdojmë me xhirimet e leksioneve edhe për javët pas 6 prillit, përkundër që nuk është marrë ende vendimi nga Task Forca për koronavirusin nëse shkollat do të qëndrojnë mbyllur përtej datës 6 prill apo jo. Pra nga mesi i javës që vjen, ne do të shohim situatën, do të marrim parasysh risqet dhe do të marrim një vendim për hapjen ose jo të shkollave me datën 6 prill”, shprehet ajo.

Pyetjes “pse nuk merren shembuj nga vendet e zhvilluara si të zhvillohet mësimi online apo edhe vlerësimi”, Ministrja Shahini jep përgjigje si më poshtë:

“Ne kemi marrë të gjithë shembujt e mundshëm që kemi patur mundësi t’i lexojmë dhe t’i adresojmë përmes edhe partnerëve tanë zhvillimorë. Kemi parë modelin e SHBA, të Britanisë së Madhe, po shohim çfarë po ndodh edhe në vendet e tjera që kanë mbyllur shkollat (që është pak a shumë i gjithë globi). UNESCO, Banka Botërore, UNICEF-i kanë ndihmuar në përkthimin e masave apo politikave të ndryshme që kanë ndërmarrë vendet e ndryshme. Kështu që, jemi shumë mirë të përditësuar me gjithçka që po ndodh në botë në lidhje me mësimin online në kushte shtëpie apo edhe vlerësimin e nxënësve”.

Në lidhje me sondazhin e zhvilluar fundjavën e kaluar me mësuesit, prindërit dhe nxënësit për mënyrën se si ata po angazhohen në mësimin online, nëse po e konsiderojnë efektiv apo jo, Ministrja Shahini jep shifra shumë inkurajuese:

“Kemi marrë 320 mijë përgjigje që është një numër shumë i mirë i mostrës që do ta marrim parasysh për analizën e këtij sondazhi dhe përgjigjet janë kryesisht pozitive. Pra, mësuesit, nxënësit dhe prindërit po mendojnë se mësimi online është një ndihmesë shumë e madhe që nxënësit të mos mbesin mbrapa me mësime. 80% e nxënësve dhe 85% e mësuesve pohojnë se gjatë këtyre javëve jo vetëm janë bërë përforcime të mësimeve që nxënësit kanë bërë nëpër shkolla, por kanë mësuar edhe koncepte të reja. Po na inkurajon dhe na entuziazmon që të vazhdojmë më tutje me këtë formë të mësimit duke ditur se nxënësit po arrijnë të mbulojnë hendekun që ndoshta do ta kishin patur në mësime në qoftë se ne nuk do të kishim organizuar mësimin online”, shprehet ajo.

Në fund të video-mesazhit, Ministrja Shahini adreson edhe pyetjen “A nuk është më mirë të anulohet ky vit shkollor?”, pyetje e ardhur nga disa prindër dhe nxënës.

“Ne pamë edhe modelet e vendeve të tjera. Nuk kemi hasur në ndonjë model që ka anuluar vitin shkollor. Pra ngaqë i gjithë globi është pak a shumë në të njëjtën situatë, të gjitha vendet po zbatojnë të njëjtat politika që po synojnë të mbyllin këtë vit akademik përkundër ndoshta që nuk është e mundur që të mbyllet plotësisht e gjithë kurrikula, plan-programi për këtë vit, edhe ne do të vijojmë në këtë formë”, nënvizon ajo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit