Vuçiç: Beogradi dhe Prishtina janë larg nga zgjidhja

Mos i humb

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Beogradi dhe Prishtina janë larg nga zgjidhja, dhe se nuk do të ketë marrëveshje sekrete, por nëse arrihet, do të informojnë qytetarët.

Në një konferencë për mediat mbi bisedimet me Kosovën, ai tha se Beogradin zyrtar e presin ditë të vështira në shtator, për kur është caktuar raundi i ri i bisedimeve me Prishtinën zyrtare.

“Është vështirë të arrihet një zgjidhja e kompromisit, është pothuajse e pamundur”, tha Vuçiç.

Ai tha se nevojitet një zgjidhje sa më e shpejtë rreth çështjes së Kosovës, pasi siç u shpreh, nevojitet një paqe afatgjate mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Patjetër të gjejmë zgjidhje e cila do të nënkuptonte njëfarë sigurie për qytetarët tanë”, tha Vuçiç, për të shtuar se vendi i tij do të këmbëngul për zgjidhjen e raporteve me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, dhe zgjidhjen e pronës së serbëve atje.

Për sa i përket KOS-it, Vuçiç tha se nevojitet formimi i zonave të mbrojtura, dhe se prona e kishës duhet ti mbesë KOS-it, selia e së cilës është në Beograd.

Lidhur me pronat e serbëve në Kosovë, presidenti serb kërkoi zgjidhjen e pronave private, pronën e KOS-it, dhe të subjekteve afariste të cilat janë të regjistruara në Serbinë qendrore, përfshirë edhe pronën shtetërore dhe shoqërore të Serbisë në Kosovë.

“Deri në vitin 1999, asetet kanë figuruar në kadastrën e tokës në Kosovë. Posedojmë pikat dhe të dhënat e detajuara dhe të sakta”, tha presidenti serb.

Vuçiç tha se tashmë për 1.930 ditë, Prishtina nuk po përmbush detyrimin për të formuar Bashkësinë e Komunave Serbe (BKS), për çka sipas tij serbët janë privuar nga shumë të drejta që duhet t’i gëzojnë.

“Sipas Marrëveshjes së Brukselit, BKS, është subjekti i cili propozon komandantin e policisë rajonale në veri. BKS propozon katër kandidatë, njërin prej të cilëve Prishtina e përzgjedh. Këtë nuk mund ta bëjmë sepse nuk ka një BKS, për çka komandantin e zgjedh Prishtina”, tha ai.

Ai tha se serbët mund të formojnë vetë Bashkësinë, mirëpo siç tha, kjo do të përdorej nga Prishtina e cila me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare do të hynte në Veri, për të marrë resurset vitale, prandaj Serbia do të ndjekë zhvillimet për të gjetur momentin e duhur për veprim.

Numri një i shtetit serb, tha se do të donte të merrte barrën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por se kjo nuk është e mundur sipas Kushtetutës, prandaj vendimi duhet të jetë i qytetarëve.

“Populli do të mund qartë dhe të saktë të shprehet për një marrëveshje të mundshme një ditë”, tha Vuçiç, duke shtuar se çështja e referendumit nuk do të konceptohet në atë mënyrë që anëtarësimi në BE të ndërlidhet me marrëveshjen me Kosovën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit