Vuçiç-Mitchel: Është koha e duhur për të gjetur zgjidhje për Kosovën

Mos i humb

Tani është koha e duhur për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës, u dakorduan sot Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Wess Mitchell në Beograd, por Vuçiç tha se Serbia nuk do të pranojë rrezikimin e popullit dhe shtetit të tij.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë Wess Mitchell, i cili ndodhet për vizitë në Serbi gjatë turneut të tij ballkanik, tha se tani është koha për t’iu përkushtuar çështjes së Kosovës dhe për të gjetur zgjidhje kreative.

“Tani është koha që t’i përkushtohemi kësaj çështjeje si dhe çështjes së emrit të Maqedonisë, hartës së Bosnjë e Hercegovinës dhe të sigurojmë një të ardhme për brezat e ardhshëm në rajon”, tha Mitchell në konferencën e përbashket për media me Vuçiç në presidencën serbe.

Ai tha se SHBA është e gatshme të dëgjojë dhe të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve kreative për këtë çështje.

“Gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën është detyrë e të gjithë neve. SHBA-të mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe do të vazhdojmë me këtë mbështetje, por gjithashtu u bëri thirrje të dyja palëve që të përmbushin të gjitha detyrimet sipas marrëveshjes së Brukselit”, shtoi ai.

Sipas Vuçiç-it, Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe se Kosova kishte një detyrim dhe kjo është themelimi i Asociacionit të komunave serbe, të cilën nuk e ka përmbushur, “e as që do ta përmbushë ndonjëherë”.

“Serbia nga marrëveshja e Brukselit i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta, kurse shqiptarët kanë vetëm një detyrim, një detyrim të vetëm të cilin nuk e kanë përmbushur. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të dhe të gjithë të tjerët e dinë këtë. Jam mirënjohës që Mitchell në Prishtinë, tha se ky detyrim duhet të përmbushet. Unë jam pothuajse i bindur se nga kjo marrëveshje nuk ka asgjë, pesë vjet nuk kanë lëvizur fare, jam i bindur se as nuk do të lëvizin, ndërsa kanë patur mbështetje kohë pas kohe edhe nga komunitetit ndërkombëtar”, tha Vuçiç.

Ai tha se po flasin për standarde të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se Serbia do të punojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por se në qoftë se nuk ia del, kjo do të jetë edhe një tjetër dështim i saj politik, raporton aa. Duke komentuar rreth transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vuçiç u bëri thirrje SHBA-së dhe BE-së dhe të gjithë të tjerëve që të tregojnë “një letër të vetme në bazë të të cilës do të formohen Forcat e Sigurisë të Kosovës”.

“Sigurisht që nuk ekziston, askush nuk mund ta shpikë atë as në BE, e as në SHBA apo kudo në botë”, tha presidenti i Serbisë.

Ai shpjegoi se mund të ekzistojë me KFOR-in dhe se Rezoluta 1244 nuk parashikon forca të armatosura.

“Kjo është pyetja ime për të gjithë mysafirët tanë të cilët aq shumë e duan forcën e Kosovës, të më theksojnë vetëm një nen, vetëm një shkronjë që jep të drejtën e themelimit të forcës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Serbia e kundërshton atë dhe këtë ia kam thënë edhe Mitchell-it, kurse puna ime është që të flasë në përputhje me ligjin dhe kështu do të veproj. Nuk mendoj se kjo do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e kujtdo qoftë në rajon, përkundrazi”, tha Vuçiç.

Mitchell reagoi ndaj kësaj duke thënë se askush nuk mund të vendos veton ndaj Kosovës për të zhvilluar pavarësinë e saj, por se kjo duhet të bëhet në përputhje me kushtetutën.

“Ata mendojnë se kjo është e ligjshme dhe ne besojmë se kjo është e paligjshme. Ky është dallimi ynë thelbësor, ne jemi të vegjël, ata janë të mëdhenj, për ata mundet, për ne nuk mundet. Njerëzit në Serbi duhet të jenë të vetëdijshëm se ne pa amerikanët nuk mund ta zgjidhim problemin me Kosovën, si dhe probleme të tjera. Ata që mendojnë ndryshe janë naiv”, ka thënë Vuçiç.

Duke folur në tema të tjera të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë theksuar se kishin një bisedë të hapur. Vuçiç ka falënderuar Mitchell si “një nga të rrallët, i cili, përkundër qëndrimeve të ndryshme të të dy vendeve, dëgjoi qëndrimet e Serbisë”.

Ata ranë dakord se bashkëpunimi mes dy vendeve është i mirë por se është i nevojshëm përmirësimi i tij i mëtejshëm.

I pyetur se pse sot takohet edhe me udhëheqësit e opozitës në Beograd, ndërsa nuk është takuar në Prishtinë dhe Shkup, Mitchell u përgjigj se është e rëndësishme që të takohet me të gjithë aktorët e shoqërisë, ndërsa Vuçiç shtoi se Mitchell ka të drejtë të takohet me këdo që ai dëshiron.

Mitchell u takua edhe me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç ndërsa do të realizojë takim edhe me udhëheqësit e opozitës në Serbi.

Wess Mitchell filloi turneun ballkanik me vizitën në Prishtinë, pastaj në Shkup ndërsa pas Beogradit do të udhëtojë në Athinë dhe Nikozi./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit