VV: Policia është instanca e fundit ku testohet shtypja ndaj grave

Mos i humb

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për mediat thotë se lufta për barazi do të vazhdojë, përderisa kërkon drejtësi për gratë e “shtypura nga shoqëria”.

Përmes një komunikate për media Vetëvendosje thotë se, “para dy ditësh ne hodhëm ngjyrë të kuqe në drejtim të ndërtesës së Policisë së Kosovës për të simbolizuar gjakun e grave që po vriten çdo ditë dhe që Policia po e lejon. Ne u arrestuam bashkë me tre shokë të tjerë ndaj të cilëve u ushtrua dhunë sikurse edhe ndaj deputetes Saranda Bogujevci. Prej të njëjtës polici e cila ua mbyll dyert grave që kërkojnë ndihmë”.

Sipas VV-së, Policia e Kosovës është duke e trajtuar dhunën ndaj grave si diçka të mbyllur dhe private.

“Ata nuk mund të guxojnë të heqin dorë nga kjo. Sigurinë e gruas njëjtë sikur të të gjithë qytetarëve duhet ta garantojnë organet përgjegjëse që po dështojnë çdo ditë”, thotë VV.

“Sigurisht keni dëgjuar për rastin që babai e dy djemtë i kanë rrahur nënën me dy motrat. Ky lajm u raportua para dy ditësh. Të tre këta janë liruar dje, në ora 18:00, pa proces gjyqësor. Ato tri gra mund të jenë ende të lënduara, me plagë të hapura por ata që ua shkaktuan plagët u liruan vetëm pas dy dite nga i njëjti vendi ku ironikisht po mbaheshim edhe ne. Pra, policia nuk është kundër dhunës”, thotë VV.

Më tutje shton se Policia është përkrahëse e dhunës.

“Kur policia viktimizohet është kundër që ne t’i përballim me ndërgjegjen e tyre. Përndryshe, po dëshmohet përditë në përkrahjen e dhunuesve të grave. Gratë po vriten. Policia i çon duart përpjetë”, thotë VV.

Vetëvendosje thekson se kështu shpëtojnë dhunuesit, kështu shpëtojnë policët përgjegjës. Inspektorati Policor në vend se të reagonte e të merrte masa ndaj policëve po shërben si mjet justifikues për ta.

“‘Sipas të gjeturave rezulton se tani për tani nuk ka element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës’. Ky është konkluzioni i Inspektoratit policor për vrasjen që ndodhi në Gjakovë. Inspektoratin tani e drejton Miradie Kelmendi. Kjo zyrtare është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha në këtë institucion. Është sekret publik që më ndërhyrjen direkte të Hashim Thaçit ajo u emërua drejtuese e Inspektoratit në korrik të këtij viti”, thotë VV.

Sipas Vetëvendosjes shumica e atyre që përjetojnë dhunë nuk raportojnë, por edhe numri i raportimeve është në rritje. Kjo i bie që edhe dhuna është në rritje. Vetëm për periudhën janar – shkurt 2018, 500 gra kanë raportuar për dhunë ndaj tyre.

“Zyrtarët drejtues të policisë janë shumë të zënë me menaxhimin e rrjeteve kriminale, jo rrallë edhe drejtimin e tyre. Nga trafiku i qenieve njerëzore deri te mbrojtja e kriminelëve. Kjo dukuri po e kriminalizon çdo ditë e më shumë veprimtarinë e policisë në plot segmente të saj. Mosreagimi dhe tolerimi i dhunës në rastet kur ajo ndodh ndaj grave e fëmijëve është në vijë me këtë kriminalizim të kupolës së Policisë. Nuk mund të ketë edhe korruptim të drejtuesve dhe atmosferë rigoroze brenda policisë. Kjo polici i ka duart me gjakun e grave”, shton Vetëvendosje.

Më tutje në komunikatë thuhet se , “ne e dimë që policia është instanca e fundit ku testohet shtypja ndaj grave. Gratë janë krejtësisht të shpërfillura në Kosovë. Në sfera publike e private diskriminohen dhe ato pak gra që gëzojnë disa të drejta e liri e kanë shumë më të vështirë sesa burrat. Kur një shtet nuk është i së drejtës ai prodhon vetëm pabarazi, dhe gjithmonë këtu gratë e pësojnë më keq. Në të gjitha shifrat krahasuese në raport me burrat gratë sot qëndrojnë më keq, jo për fajin e tyre por për të gjithë shoqërisë. Por gratë e Kosovës nuk do ta durojnë një shtet të padrejtë. Ne nuk do ta durojmë një shtet të dhunës”.

“Njëkohësisht jemi të vetëdijshme se për t’u jetësuar të drejtat formale duhet të luftojmë për to. Dhe kjo është duke ndodhur. Për Valbonën e për Kiarën është protestuar në Gjakovë, në Prishtinë, në Ferizaj, transmeton koha.net. Për drejtësinë duhet këmbëngulur çdo ditë. Për barazinë nuk bëhet kompromis. Kauza e grave është me prioritet”, thotë VV./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit