Xhaferi: Mijëra amendamentet për gjuhën nuk janë veprim i sinqertë, por politik

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një takim joformal me gazetarët shpalosi pikëpamjet e tij për pengesën në të cilën ka hasur miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili pas refuzimit të presidentit të shtetit Gjorge Ivanov për ta dekretuar është rikthyer në Kuvend në lexim të tretë.

Kryeparlamentari Xhaferi thotë se vendimi për amendamentet nuk ka një synim të sinqertë, por bazohet vetëm në deklaratat e opozitës se do të pengojnë miratimin e ligjit.

“Sa për ilustrim i tërë ligji ka gjithsej 8 faqe me rreth 4.000 fjalë, ndërsa ka 35.000 amendamente të parashtruara, që flet për josinqeritetin e parashtruesit, ndërsa vetëm neni 22, i cili flet për gjobat, ka 33.834 amendamente të parashtruara”, tha Xhaferi.

Në bazë të procedurave parlamentare, tha ai, ligji duhet të miratohet brenda një afati 30 ditorë, duke informuar se deri më sot, janë përkthyer rreth 17 mijë amendamente, që akoma më shumë komplikon situatën, sepse siç tha “përkthyesit janë njërëz, prandaj nuk do të ushtrojë presion mbi ta”.

Kreu i Kuvendit, kundërshtoi pohimet e opozitës se ligji shkel Kushtetutën, pasi sipas tij i njëjti ka kaluar të gjitha filtrat dhe është në harmoni me Kushtetutën.

Xhaferi informoi gazetarët se është në komunikim të përditshëm me opozitën, pasi siç tha, 35 mijë amendametet janë një vendim politik dhe se në politikë çdo gjë është e mundur, duke aluduar në mundësinë që VMRO-DPMNE-ja të tërheqë amendamentet e parashtruara, në veçanti nga fakti se deklaratat e fundit të zyrtarëve të kësaj partie flasin se dëshirojnë të ndërtojnë një qasje të re në komunikimin me shqiptarët, të cilën e kishin pasur të gabuar në të kaluarën.

Në fund, Xhaferi tha se është i gatshëm të punojë pa ndërprerje për 6 muaj, aq sa është vlerësuar se mund të zgjasë debati mbi amendamentet në fjalë ndërkohë që nuk përjashtoi as mundësinë e mbajtjes së seancave maratonike.

Kujtojmë se më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, parashikohet që në të gjitha organet shtetërore të vendit, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që flitet nga 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në këtë rast gjuha shqipe.

Gjashtë ditë më vonë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në një adresim para opinionit deklaroi se ka vendosur të mos e dekretojë miratimin e Ligjit me pretekstin se është miratuar pa debat publik dhe shkencor, si dhe pa përfshirjen e opozitës, publikut akademik dhe atij të ekspertëve.

Tashmë ligji në fjalë është rikthyer në procedurë parlamentare, dhe nëse siguron 61 vota të deputetëve, atëherë nuk do të jetë i nevojshëm dekretimi i presidentit, me çka pas shpalljes në “Gazetën Zyrtare” hyn në fuqi./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit