Xhamia e Madhe në Kordobë me vite e hapur vetëm për ritet fetare katolike

Mos i humb

Xhamia e Madhe e Kordobës, e ndërtuar nga viti 785 deri në 987, ishte xhamia më e madhe në Spanjë dhe një shembull i mrekullueshëm i arkitekturës maure, dhe për vite është e hapur vetëm për ritet fetare të katolikëve.

Pas vendimit të javës së kaluar të gjykatës turke për anulimin e vendimit të vitit 1934 sipas së cilës Xhamia Aja Sofia në Stamboll u kthye në muze, me çka u lejua që perla e Stambollit përsëri të kthehet në xhami, ashtu siç ka qenë me shekuj në historinë e saj, pasuan disa kritika nga qarqe të ndryshme jashtë vendit, por burime të shumta citojnë pikërisht Xhaminë e Madhe në Kordoba si një kundër argument.

Xhamia e Madhe e Kordobës në një kohë ishte madje xhamia më e madhe në botë, kurse në vitin 1236, pasi Kordoba u pushtua sërish nga forcat krishtere të mbretit Ferdinand III nga Kastila, vendi i adhurimit musliman u shndërrua në një kishë të krishterë, dhe nga shekulli i 16-të në një katedrale. Shumica e minareve në Xhaminë e Madhe u rrënuan dhe mbi to u vendosën kambanat.

Ky monument i rëndësishëm, i cili u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1984 dhe u shënua si Xhamia-Katedrale në Kordobë, ka statusin e një monumenti dhe përdoret si një vend turistik, dhe nga ana tjetër, në ditë të caktuara në pjesën e kishës është e hapur vetëm për ritet fetare katolike.

Edhe pse komuniteti musliman në Spanjë ka bërë herë pas here kërkesa për hapjen e Xhamisë së Madhe për të kryer ritet fetare muslimane, ata ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Sot ajo është katedralja kryesore e Arqipeshkvisë Spanjolle të Kordobës, pra në listën e vendeve të adhurimit të Vatikanit, në të cilën përgjegjës për ritet fetare janë dy priftërinj.

Për më tepër, Xhamia-Katedrale e tanishme në Kordobë, së bashku me Alhambra-n në Granadë, pallati i sundimtarëve të fundit muslimanë të Spanjës, maurët, është një nga destinacionet më të njohura turistike në atë vend.

Xhamia Alhambra, e ndërtuar në vitin 1308, u shndërrua në kishë në vitin 1492 kur zona u pushtua nga të krishterët dhe sot e kësaj dite përdoret vetëm për ceremonitë fetare katolike.

Poashtu edhe Xhamia Al Murabitun, e ndërtuar midis shekujve 8 dhe 10, dhe dikur një nga xhamitë më të vjetra në Granadë, u shkatërrua kryesisht në shekullin e 16-të, kurse në vendin e saj u ndërtua Kisha e Shën Jozefit. Minarja e xhamisë u shndërrua në një kullë me kambana. 

Në zonën ku ndodhet sot Katedralja Zonja jonë në Seville, e njohur si katedralja më e madhe në botë, janë mbetjet e xhamisë së dinastisë Almohad, e cila u hap në 1182 dhe u rrënua në 1433 pasi zona u pushtua nga të krishterët.

Xhamia Bab al Mardum, e ndërtuar në vitin 999 në qytetin Toledo, u shndërrua në kishë në vitin 1085. Aktualisht përdoret si një monument i hapur për vizita turistike.

Xhamia Tornerias, e ndërtuar në shekullin XI në të njëjtin qytet, përdoret sot si Fondacion për Promovimin e Artizanateve.

Në Spanjë, ka shumë shembuj të tillë dhe të ngjashëm ku xhamitë e dikurshme ose simbolet islame përdoren aktualisht për qëllime të ndryshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit