Zaev në Mal të Zi: Miqësia mes dy vendeve, shembull për vendet tjera

Mos i humb

Mali i Zi është i gatshëm të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, deklaroi sot kryeministri malazez Dushko Markoviç, i cili në Podgoricë priti homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev.

Zaev i cili po qëndron në një vizitë dyditore në Mal të Zi, sot udhëhoqi delegacionin e vendit të tij, i cili ka zhvilluar një takim të përbashkët të kabinetit me qeverinë e Malit të Zi. Markoviç theksoi se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm midis dy vendeve rezultoi me nënshkrimin e katër marrëveshjeve ndërshtetërore.

“Ne kemi nënshkruar katër marrëveshje në fushën e mbrojtjes së mjedisit, punëve të brendshme, shëndetësisë dhe shkëmbimit të informacioneve të klasifikuara. Biseduam se si të zhvillojmë bashkëpunimin tonë, që nga kjo të dalin benefite në fushat që janë jetike për shoqëritë tona. Potencuam angazhimet dhe vlerat tona të përbashkëta strategjike si kusht për të ardhmen, që nënkupton perspektivën tonë evropiane dhe euroatlantike. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë vende që ndajnë këto vlera, që kultivojnë dhe promovojnë si rruga e vetme për stabilitetin afatgjatë dhe prosperitetin jo vetëm të vendeve tona, por edhe rajonit ku i përkasim”, tha Markoviç.

Ai ofroi ndihmën e Malit të Zi në procesin e integrimit në BE pasi që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, duke përgëzuar Malin e Zi për 13 vjetorin e pavarësisë, tha se ishte i kënaqur se të gjitha këto vite, madje edhe më parë, këto dy vende kultivojnë marrëdhënie miqësore.

“Dua të përcjell mesazhin e sinqertë të mirënjohjes për Malin e Zi, për mbështetjen e plotë të Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë kohës, ndër të parët ratifikoi protokollin për pranimin tonë në NATO. Burrështetasit më të lartë malazezë në të gjitha takimet theksojnë të drejtën tonë që, pas të gjitha sukseseve që kemi bërë në Maqedoninë e Veriut, të marrim datë për fillimin e negociatave të pranimit. Këtë verë ne presim datën përfundimtare për fillimin e negociatave pas 14 vjetësh”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se miqësia e madhe midis dy vendeve mund të bëhet shembull për vendet e tjera.

“Sepse nëse Ballkani bashkëpunon më mirë, Evropa Perëndimore do të na respektojë më shumë”, tha Zaev.

Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Zaev u takua me presidentin dhe kryetatin e Parlamentit malazez, Milo Gjukanoviç dhe Ivan Brajoviç ndërsa mori edhe pjesë në Forumin e Biznesit ku morën pjesë biznesmenë nga të dyja vendet.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit