Zaev: Pavarësinë e kremtojmë të lirë dhe të hapur drejt botës

Mos i humb

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në adresimin me rastin e 8 shtatorit, Ditës së Pavarësisë, theksoi se synimi për shtet të pavarur është ideal shekullor në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohen 29 vite nga pavarësia, gjegjësisht nga referendumi i mbajtur në vitin 1991, në të cilin qytetarët maqedonas u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.

Në organizim të qeverisë, solemniteti qendror me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë, u mbajt në platonë para godinës së qeverisë. Solemniteti filloi me aktin e ndërrimit të flamujve, ndërsa më pas u intonua himni i vendit.

Kryeministri Zoran Zaev në adresimin para përfaqësuesve shtetërorë, shumë mysafirëve dhe korit diplomatik, theksoi se para 29 viteve, më 8 shtator, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të gjithë pasardhësve të ardhshëm të këtij vendi u dhanë dhuratën më të madhe, shtetin e pavarur.

“Aspirata për një shtet të pavarur është ideali shekullor në historinë maqedonase, ideal që për shumë breza ishte vetëm një ëndërr. Pothuajse tre dekada më parë, pas 46 viteve shtetësi brenda bashkimit të shteteve të ish-Jugosllavisë, më 8 shtator të vitit 1991, pavarësia e vendit tonë u bë realitet”, tha Zoran Zaev.

Rruga drejt pavarësisë, siç tha Zaev, “në këtë periudhë të trazuar të luftës për pjesën tonë të Evropës nuk ishte aspak e lehtë, as e sigurt”.

Duke theksuar se shumica dërrmuese e qytetarëve, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vllehë, boshnjakë dhe të tjerë e mbajtën paqen në vend, kryeministri Zaev tha se 8 Shtatori, Dita e Pavarësisë, mbetet në kujtesë edhe si “një ditë kur u bashkuam për të krijuar një shtëpi të përbahskët për të gjithë”.

“Sot, shteti ynë ka të ardhme të sigurt evropiane me shumë shpresë, mirëqenie dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e saj të liruar nga frika dhe paragjykimet e së kaluarës. Maqedonia e Veriut është shtet qytetar dhe atdhe i lirë për të gjithë qytetarët dhe të gjitha bashkësitë etnike, një shoqëri për të gjithë”, tha Zaev.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka mundësinë e papërsëritshme që të ulet në karrigen e saj të tryezës së shteteve evropiane.

“Është një shans që nuk do ta humbasim. Të dashur qytetarë, le ta shfrytëzojmë momentin dhe me vetëbesim të gjithë së bashku të hapërojmë në rrugën evropiane. Të lirë dhe të hapur drejt botës, e festojmë pavarësinë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit