Zaev për xhaminë në Ohër: Në dialog me palët do të gjemë zgjidhje

Mos i humb

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se në dialog me të gjitha palët do të gjejnë zgjidhje në lidhje me restaurimin e kontestuar të xhamisë Ali Pasha në Ohër.

Zaev, ka realizuar sot një takim me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Komunës së Ohrit, Konstantin Georgievski, drejtoren e përkohshme të Institutit Shkencor të Muzeut të Ohrit, Eleonora Novakovska dhe me kryetarin e OJQ-së “Sovest”, Mihail Trendafilov, me të cilët ka biseduar për restaurimin e kontestuar të xhamisë së Ali Pashës në hyrje të Çarshisë së Ohrit.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se në takim është diskutuar për problemet e trashëguara të ndërtimit të kontestuar pa dokumentacionin e duhur të një pjese të objektit fetar në qendër të qytetit si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje në përputhje me ligjin, ndërsa u diskutua edhe për aspektet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në qytetin e Ohrit, i cili është i një rëndësie të njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zaev nga ana e tij ka thënë se institucionet do të veprojë në përputhje me ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe dialogun me të gjitha palët.

Duke patur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, thuhet më tej në njoftim, Zaev ka thënë se do të kërkohet zgjidhje e cila do të jetë në interes të qytetarëve të Ohrit por edhe të shtetit në përgjithësi, i cili mbetet i përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore të Ohrit.

Kujtojmë se ish-ministri i Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Robert Alagjozovski, në dhjetor të vitit 2017 ndaloi punimet për restaurimin e xhamisë pesë-shekullore ‘Ali Pasha’ në Ohër, me arsyetimin se nuk dëshirojnë që ndërtimi të shkaktojë tensione etnike.

Restaurimi i xhamisë në Ohër financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë.

Reagimi i tij kishte të bëjë për reagimet e qytetarëve të Ohrit, të cilët të organizuar dhe mbështetur nga OJQ “Sovest” reaguan ndaj mënyrës me të cilën restaurohet xhamia e Ali Pashës në Çarshinë e Ohrit, e cila sipas tyre nuk është në përputhje me ligjin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit