Zaev: Qeveria kujdeset për avancim të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve

Mos i humb

Byroja për Metrologji e Maqedonisë së Veriut është pajisur me pajisje të reja, përfshirë edhe laboratorin e lëvizshëm për kontroll të cilësisë të derivateve të naftës, që është një risi në vend.

Në përurimin e pajisjeve të reja të pranishëm ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, drejtoresha e Byrosë për Metrologji, Merita Mustafai dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski.

Zaev tha se qeveria kujdeset për avancimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, me theks të veçantë në cilësinë e derivateve të naftës.

“Laboratori i lëvizshëm i cili do të jetë i pajisur sipas standardeve më të larta, me instrumente të sofistikuara të cilat do të masin nëntë karakteristika të derivateve të naftës, do të mundësojë që në vendngjarje, në terren, të kontrollohet cilësia i derivateve nëse janë sipas standardeve të parapara”, tha Zaev.

Ministri Bekteshi tha se me këtë aktivitet dëshmohet se qeveria nuk bën reforma vetëm në letër, por se siç theksoi ai, bëjmë reforma të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në mbrojtjen e konsumatorëve.

“Andaj, ne vendosëm të furnizojmë Byronë për Metrologji me laborator mobil, një laborator i cili do të bëjë kontrollin e cilësisë së naftës dhe derivateve të naftës, por njëkohësisht të rrisim edhe kapacitetin e Inspektoratit të Tregut me të vetmin qëllim për t’i mbrojtur konsumatorët”, tha Bekteshi.

Drejtoresha Mustafai tha se furnizimi është bërë pas thirrjes publike dhe kap shifrën prej rreth 37 milionë denarëve. Ndërkohë, drejtori Paunovski falënderoi Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen e ofruar, duke u zotuar se nëpërmjet punën së ndërgjegjshme do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe mbrojtje më të mirë të konsumatorëve.

Në kuadër të vizitë, Zaev gjithashtu vizitoi edhe laboratorët e Byrosë për Metrologji, ku u njoftua nga afër me aktivitete që zhvillohen në këtë institucion.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit