Zaev: Qeveria nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të BFI-së

Mos i humb

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se Qeveria nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Zaev morri pjesë në një konferencë për media me rastin e vizitës së Papës Françesku në Shkup, ku u pyet rreth ndodhive të së martës në BFI. Zaev tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut “as që ka për qëllim, e as që do të ndërhyjë në punët e brendshme të BFI-së apo të asnjë bashkësie tjetër fetare”.

Zaev sqaroi se të martën është kërkuar ndihmë nga policia nga të dyja palët, andaj policia ka qenë në vendin e ngjarjes, duke theksuar se shteti do të respektoj karakterin shekullar.

“Për ne, kryetar i BFI-së është ai të cilin e vërtetojnë kushtetuta dhe ligjet e BFI-së. Nuk na takon neve që të interpretojmë në këtë”, theksoi kryeministri Zaev, duke demantuar informatat se policia financiare ka qenë prezent të martën në zyrat e BFI-së.

Deklarata e kryeministrit Zaev vjen pasi ish-sekretar i Myftinisë së Shkupit, Skender Buzaku, të martën u shfaq me një vendim të Gjykatës Themelore Shkupi II në zyrat e BFI-së si kreu i ri i këtij institucioni fetar, ndërkohë kryesia e BFI-së ka refuzuar këtë vendim dhe ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Më pas, opinionit iu drejtua kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, i cili hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi II duke e quajtur “skandal primitiv.”

– “Vendimi për ndryshimin e bartësit të funksionit Reis-ul-ulema nuk është i plotfuqishëm”

Kryesia aktuale e BFI-së të martën bëri të ditur se refuzon vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi II, duke thënë se bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara të paraqitura nga Skender Buzaku.

Gjykata Themelore Shkupi II, sot përmes një kumtese për mediat njoftoi se ka vepruar në bazë të kërkesave që kanë ardhur nga BFI-ja dhe organet e saja.

Sipas kumtesës së gjykatës, Rexhepi ka dorëzuar dorëheqje nga pozita e Reis-ul-ulemasë së BFI-së dhe e njëjta është pranuar nga Rijaseti, si dhe është arkivuar.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se Rijaseti i BFI-së ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me datë 30 mars 2019 në të cilën është pranuar dorëheqja dhe për Reis-ul-ulema është zgjedhur Skender Buzaku, ndërsa Gjykata Themelore Shkupi II ka pranuar kërkesën që i është parashtruar për ndryshimin e personit përfaqësues të BFI-së.

“Vendimi për ndryshimin e bartësit të funksionit Reis-ul-ulema nuk është i plotfuqishëm, respektivisht për të njëjtin po vijon afati për ankesë prej 15 ditësh”, thuhet në kumtesën e gjykatës.

Nga gjykata qartësojnë se nuk kanë bërë ndryshim, por kanë zbatuar dhe vërtetuar vendime të bashkësisë fetare që janë miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të Rijasetit.

Në lidhje me pretendimet se është falsifikuar apo jo dorëheqja e Rexhepit, nga gjykata informojnë se kjo mund të jetë lëndë e ndonjë rasti tjetër gjyqësor, duke shtuar se të gjitha vendimet që kanë ardhur nga organet e BFI-së kanë mbartur vulën e institucionit dhe kanë qenë të arkivuara.

Një incident tjetër brenda BFI-së u krijua edhe në vitin 2015, kur u tentua që kryetar i institucionit të emërohet ish-Myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, i cili mbështetej nga Buzaku, atëkohë sekretar i Myftinisë së Shkupit, por më pas në një mbledhje të Riasetit të BFI-së ata u shkarkuan nga postet e tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit