Zëri i Amerikës: Pedagogët e UT të shqetësuar nga “paketa anti-shpifje”, cënon lirinë e shprehjes dhe të shtypit në Shqipëri

Mos i humb

Komisioni parlamentar i medias dhe edukimit vazhdoi sot dëgjesat me pedagogë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës lidhur me projekt-ligjet e mbiquajtura si “paketa anti-shpifje”.

Ata shprehën shqetësimin se kjo paketë cënon lirinë e shprehjes dhe të shtypit në Shqipëri, se duhet rrëzuar si një e tërë, sepse në thelb është e pariparueshme.

“Nuk mund ta mendoj se si një projekt-ligj mund të bëhet nga 12 deputetë kur ka kundër gjithë sistemin mediatik të vendit, gjithë organizatat ndërkombëtare që merren me lirinë e mediave. Ju mendoni se përkundër gjithë kësaj ju të vazhdoni një procedurë për ta përmirësuar projektin?! Mua më duket një paradoks kjo që po bëhet këtu në komision” – tha Mark Marku, pedagog dhe drejtues i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Deputeti socialist Musa Ulqini tha se procedura e diskutimit të projekt-ligjeve është kushtetuese, ligjore dhe demokratike, duke theksuar komisioni i medias dhe edukimit po fton në dëgjesa gjithë grupet e interesuara vendase dhe ndërkombëtare dhe po mban shënime me detaje mbi mendimet dhe propozimet e tyre, para se të shprehet dhe të vendosë për projektet.

“Kemi ftuar për të dëgjuar të gjitha grupet e interesit; ata që e kundërshtojnë plotësisht, ata që e quajnë projekt fashist, ata që thonë se duhen bërë ndryshime si edhe ata që kanë mendim abstenues. Kjo është një gjë shumë e mirë, kjo nuk është fasadë, kjo është një gjë e vërtetë dhe është një procedurë demokratike. Kemi ftuar edhe ndërkombëtarët që monitorojnë mediat në Shqipëri, ftuam edhe institucionet që kanë përgjegjësi për këtë punë, edhe ata që e inicuan ligjin. Kemi ftuar edhe trupën akademike, si ju këtu sot, edhe përfaqëues të shoqatave dhe i kemi dëgjuar të gjithë me respekt. Asnjë nga ne anëtarët e komisionit nuk jemi shprehur ende për asgjë, ndaj mos na paragjykoni. Ne po i dëgjojmë të gjithë” – tha zoti Ulqini.

Ndërkaq, analisti dhe pedagogu i Universitetit të Tiranës, Agron Gjekmarkaj, thotë që rrëzimi i projekt-ligjeve të qeverisë ndaj medias është i domosdoshëm, edhe nëse shumica socialiste do të arrijë të kalojë projekt-ligjet ndaj medias në parlament, kjo do të jetë diçka e përkohshme, sepse ato përmbajnë masa jodemokratike, nxitin auto-censurën, mbrojnë qeverinë, duke shkelur mbi lirinë e fjalës dhe duke shantazhuar mendimet kritike në Shqipëri.

“Dje një media prestigjoze europiane si Rai Tre e quajti paketën “shpfije” si “ligji i gojës së mbyllur”. Ky është një ligj, i cili synon të kultivojë mes nesh atë që ne e kishim harruar – autocensurën. Kjo bëhet sepse një njeri që i ka të gjitha pushtetet tani bezdiset nga kritikat, nga satira, nga fjala e lirë. Ai përpiqet ta etiketojë si një paketë kundër shpifjes dhe abuzimin me fjalën pikërisht duke e vrarë fjalën” – tha zoti Gjekmarkaj.

Ai thotë se ligje të tilla e futin Shqipërinë në periudha të gjata regresi, ndaj është e pamundur që një individ i vetëm t’i diktojë vullnetin e vet gjithë shoqërisë, se kjo bëhet vetëm nga qeveritë autokratike të Lindjes, dhe se një kryeministër që harton ligje të tilla joeuropiane demaskon si të pavërteta retorikat e veta për integrimin në BE.

Përfaqësues të qeverisë janë shprehur se projekt-ligjet që kan hyrë tashmë në procedura parlamentare synojnë të frenojnë lajmet e rreme në mediat online, shpifjet dhe fyerjet e ndryshme dhe të krijohet një regjistër kombëtar i këtyre mediave të reja.

Paketa antishpifje ka nxitur një debat të gjerë prej afro një viti dhe është korigjuar disa herë; përfaqësues ndërkombëtarë janë shprehur se janë bërë përmirësime të dukshme, por përsëri është e nevojshme që projekt-ligjet të përmbushin standartet demokratike europiane të lirisë së shprehjes dhe medias./Zëri i Amerikës/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit