Zgjedhja e Kryeprokurorit, Lu: Të mos mbrojë më politikanë të korruptuar

Mos i humb

Qeveria dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të prokurorit të përkohshëm të përgjithshëm dhe “të dyja palët duhet ti japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”.

Kështu është shprehur ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu në një aktivitet të organizuar nga Avokati i Popullit.

“Luftoj për reformën në drejtësi pasi është një përparësi e madhe për presidentin amerikan dhe sekretarin e shtetit. Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e vettingun dhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vettingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera në drejtësi, përfshi SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.

Disa politikanë kanë thënë se “reforma në drejtësi ka vdekur”. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e rëndësishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur. Sistemi i vjetër i drejtësisë i mbronte njerëzit e shtetit me pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. Sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.

Ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë. I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të prokurorit të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar në 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur prokurori i përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar. Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi të korruptuar shpresoj që politikanët t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do të zbatojnë këtë reformë në drejtësi”, tha Lu./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit