Zgjidhja sipas Pacollit, Veriu zonë ekonomike, gjysma Kosovës, gjysma Serbisë, qeverisja nga një i tretë

Mos i humb

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka modelin e vet për “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës. Siç e citojnë mediat e Beogradit, ai ka thënë se “personalisht nuk sheh shans për zgjidhje politike” të problemit të Kosovës, por beson “në zgjidhjen ekonomike nga e cila të dy palët kanë interes”.

“Çfarë do të ishte kjo? Këtë po e them qysh më 2007, se veriu i Kosovës duhet të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë. Këtë e shoh si zgjidhje. Por, ndoshta për ide të tillë ende është herët”, citon agjencia serbe e lajmeve, Beta, deklaratën e Pacollit dhënë DW.

Pacolli citohet të ketë thënë se Prishtina nuk duhet të tërheqë vendimin për vendosjen e taksave doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pavarësisht se ato i dënojnë Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore.

“Duhet t’iu tregojmë se Kosova ka krenarinë e vet. Dhjetë vjet jemi shtet. Nuk guxojmë të lejojmë që të na shkelin më atë që e kemi arritur deri tash”, ka thënë Pacolli.

Sipas Beta-s ai është shprehur se Kosova është e gatshme të tërheq taksën vetëm atëherë kur të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe nëse në mes Kosovës e Serbisë ka reciprocitet qind për qind.

Duke komentuar vizitën e paradokohshme të komisarit evropian Johannes Hahn, i cili tha se Kosova duhet të presë liberalizimin e vizave së paku deri në vitin 2020, Pacolli, siç citohet nga mediat serbe, ka konstatuar se “Europa nuk po sillet me korrektësi”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit