Zvicra në top shtetet për pasuri, shëndetësi, lumturi dhe avancim

“Instituti Legatum”, një institut kërkimor me qendër në Londër, ka raportuar të enjten indeksin të Prosperitetit botëror.

Në këtë klasifikim janë marrë parasysh 104 faktorë të ndryshëm, derisa ndër më kryesorët ishin, produkti i brendshëm bruto për kokë banori, numri i njerëzve në punë me orar të plotë, por edhe figura më interesante, siç është numri i serverëve të sigurt të internetit që ka një vend, dhe disa faktorë tjerë, përcjell albinfo.ch.

Më pastaj variablat ndahen në nënindeks: cilësia ekonomike, mjedisi i biznesit, qeverisja, arsimi, shëndeti, siguria, liria personale, kapitali social dhe mjedisi natyror.

Ky Indeks ka vlerësuar 149 vende të botës, duke marrë të dhënat e disponueshme. Për shtatë vitet e fundit të indeksit, Norvegjia ka qenë në vendin e parë, por në vitin 2016, ky çmim ka shkuar për Zelandën e Re.

Sipas renditjes së shteteve më të pasura, më të shëndetshme, më të lumtura dhe më të avancuara në botë, Zvicra ndodhet në vendin e katërt. Zvicra shpesh ndodhet në krye të listave për shkak të edukimit fantastik dhe kujdesit të madh shëndetësor. Në nën-indeksin e shëndetësisë është në vendin e tretë.

Në vendin e 15-të është Austria, kurse në atë të 11-të Gjermania. Vendi i parë mbahet nga Zelanda e Re, duke u pasuara nga Norvegjia dhe Finlanda./Albinfo.ch/