Zvicra nuk do të heqë sekretin bankar në raportet brenda vendit

Mos i humb

Sekreti bankar, kur ai praktikohet brenda Zvicrës, nuk do të dalë nga përdorimi. Pas Dhomës Nacionale, edhe Dhoma e Kantoneve (Senati) e Parlamentit është shprehur sot se përfundimisht nuk do të ketë ashpërsim të të drejtës tatimore.

Siç dihet, Zvicra prej kohësh ndodhet nën presion ndërkombëtar e në veçanti nga BE-ja për heqjen dorë nga sekreti bankar.

Fillimisht, Këshilli Federal, në kohën kur resorin e financave e udhëhiqte Eveline Widmer-Schlumpf synonte të zbuste sekretin bankar edhe brenda vendit, transmeton albinfo.ch. Dallimi në mes të shmangies së tatimeve dhe mashtrimit tatimor nuk është i kohës, thuhej atëbotë.

Por trashëgimtari i Schlumpf-it në këtë post, ministri aktual i financave, Ueli Maurer mbështet tërheqjen e një synimi të tillë. Ai thotë se ashpërsimi i të drejtës tatimore nuk është më në gjendje të sigurojë shumicën në parlament.

Me vendimin e dy dhomave për të mos e zbutur sekretin bankar në raportet brenda vendit, tashmë i është hapur rruga tërheqjes së iniciativës për Sekretin Bankar. Ajo synonte mbrojtjen e këtij rregullatori për të cilin njihet Zvicra.

Komiteti i kësaj iniciative do të vendosë javët në vijim rreth tërheqjes në fjalë, ka thënë deputeti nacional i SVP-së, Thomas Matter. Kjo sepse, sipas tij, qëllimi që donte të realizonte iniciativa, është arritur.

Këshilli Federal kishte hedhur poshtë iniciativën në fjalë. Sipas tij, pranimi i saj do të vështirësonte ndjekjen e evazionit fiskal./Albinfo.ch/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit