Zyra e Kryeministrit sqaron rritjen e paligjshme të pagave të kryeministrit dhe ministrave

Mos i humb

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka thënë se vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar nuk përbën konflikt interesi, pavarësisht konstatimit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) që thotë se rritja e pagave është realizuar në kundërshtim me ligjin.

Në konstatimin e saj, të publikuar sot, AKK-ja ka thënë se zyrtarët e lartë publik (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

AKK ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.

Mirëpo, Arbër Vllahiu, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për Insajderin se opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsionit është udhëzues, dhe se Qeveria është në proces të përpilimit të një përgjigjeje që do të sqarojë vendimin për rritjen e pagave.

“Opinioni si i tillë në bazë të ligjit në fuqi është udhëzues. Qeveria është në proces të përgatitjes së një përgjigjeje e cila do të sqarojë se vendimi është në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat e mira”, ka deklaruar Vllahiu për Insajderin.

Sipas Vllahiut, Qeveria ka marrë një vendim bazuar në ligjet përkatëse për rritjen e pagave.

“Qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime dhe legale çdo ditë nxjerrin vendime për funksionimin e tyre dhe kjo nuk paraqet konflikt interesi. Vendimi i Qeverisë është vendim kolektiv”, deklaroi Vllahiu.

Agjencia Kundër Korrupsion deklaroi sot se konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale.

Kryeministri Haradinaj, më 21 dhjetor të vitit të kaluar, kishte marrë vendim që t’ia rriste pagën vetes dhe kabintetit të tij qeveritar.

Vendimi i tij kishte nxitur reagime nga opozita dhe shoqëria civile./Telegrafi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit