Aksion në Malishevë mbi dyshimet për manipulim të votave

Mos i humb

Autoritetet për zbatimin e ligjit janë duke e kryer një aksion në komunën e Malishevës, si pjesë e një hetimi për manipulimin e dyshuar të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, i tha REL-it persona të dyshuar janë duke u marrë në pyetje lidhur me dyshimet se kishin falsifikuar vota brenda partive politike të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Domi nuk tregoi se sa të dyshuar po merren në pyetje e as nuk dha hollësi të tjera rreth aksionit, duke thënë ai është në zhvillim e sipër.

“Tani për tani mund të them vetëm kaq. Më shumë hollësi do t’i bëjmë të ditura pasdite”, tha Domi.

Aksioni në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – është i dyti i këtij lloji si pjesë e një hetimi të gjerë për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Kosovës.

Një operacion i ngjashëm u krye javën e kaluar në Prizren, ku u arrestuan 109 të dyshuar, prej të cilave 23 u dërguan në paraburgim nën dyshimin se kishin manipuluar vota të kandidatëve për deputetë.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur të martën se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit