Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) njofton se qytetarët dhe bizneset mund të aplikojnë në çdo kohë për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim, përmes portalit e-Albania.
Sipas ASHK-së, trualli përfitohet falas për ndërtesat me funksion banimi, ndërsa përfitimi vlen për objektet e privatizuara sipas ligjit nr. 7512/1991, ato të blera nga ndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativat bujqësore, si edhe për ndërtesat e ndërtuara me leje ndërtimi të lëshuara nga njësitë vendore pas vitit 1991.
Kusht për përfitimin e shërbimit është që trualli dhe ndërtesa të jenë në përdorim të aplikuesit, të jenë pronë shtetërore dhe të mos klasifikohen si pronë publike e patjetërsueshme.
Aplikimi kryhet online në portalin e-Albania, duke plotësuar formularin elektronik, ngarkuar dokumentacionin përkatës dhe kryer pagesën. Dokumentet origjinale duhet të dërgohen me postë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së që administron zonën ku ndodhet objekti.
Dokumentacioni i nevojshëm përfshin kontratën e pronësisë ose lejen e ndërtimit, genplanin përkatës, deklaratë noteriale për mos tjetërsimin e ndërtesës, si dhe vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për pagesën e taksës së truallit në përdorim, nga data 7 qershor 2010 deri në momentin e aplikimit.


