Balla: Shtyhet ligji i financimit të partive, ndryshimet në Kodin Penal në diskutim

Mos i humb

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se ligji për financimin e partive politike nuk konsiderohet i dështuar, pavarësisht se nuk u përmbyll brenda muajit dhjetor, ndërsa sqaroi se procesi është i lidhur ngushtë me rekomandimet dhe afatet e përcaktuara nga Komisioni Europian.

I pyetur nëse kjo situatë përbën dështim të ligjit që duhej të mbyllej brenda dhjetorit, Balla u shpreh se, “ky është një proces ku ndërlidhja dhe afatet dhe sugjerimet, komunikimet që vijnë nga Komisioni Europian janë një detyrë shtëpie e pazëvendësueshme. Na është komunikuar që ky interim benchmark mund të plotësohet deri në fund të janarit apo shkurt, kështu që kemi dhe pak kohë”.

Në lidhje me ndryshimet e tjera që sipas BE-së duhet të miratohen brenda vitit, veçanërisht ndryshimet në Kodin Penal dhe çështjen e “shpërdorimit të detyrës”, Balla theksoi se në Kuvend ka mbërritur një draft nga qeveria, i cili po shqyrtohet në komisione.

“Keni një draft që ka ardhur nga qeveria, i cili sot po diskutohet në komisione siç ka ardhur drafti nga qeveria. Gjithçka që ju thoni nuk ndërlidhet me këtë diskutim, me variantin që ka ardhur nga qeveria”, tha Balla.

Sa i përket deklaratës së kryeministrit për nevojën e një dialogu gjithëpërfshirës mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, Balla tha se Kuvendi ka marrë vazhdimisht propozime nga vetë institucionet e drejtësisë.

“Nga vetë institucionet e drejtësisë kanë ardhur kohë pas kohe shumë propozime. Një pjesë e tyre janë reflektuar në ndërhyrje të propozuara nga deputetët, të cilat kanë marrë edhe një konfirmim të parë nga Komisioni Europian”, tha Balla.

Ai theksoi se çdo hap i procesit bëhet në koordinim të plotë me BE-në.

“Jemi të detyruar t’i qëndrojmë strikt rekomandimeve që vijnë nga Komisioni Europian. Edhe varianti përfundimtar që kalon në komision duhet të marrë një konfirmim nga Komisioni Europian përpara se të vijë në seancë për votim”, theksoi Balla.

Në lidhje me zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit dhe reagimet e Partisë Demokratike, Balla u shpreh se ky ishte procesi më korrekt i ndjekur ndonjëherë.

“Kanë ardhur gjashtë kandidatura nga opozita dhe hynë të gjashta në votim dhe u zgjodh njëra prej tyre, fiks siç e propozuan edhe vetë partitë e opozitës”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nevojiten edhe votat e mazhorancës. “Që të zgjidhet Avokati i Popullit duhet të merren edhe votat tona. Ky është rasti më i mirë i zgjedhjes ndonjëherë të Avokatit të Popullit në Shqipëri”, theksoi Balla.

Duke iu përgjigjur akuzave se Shabani është figurë politike, Balla tha se, “ne votuam kandidatin që solli opozita”.

Ndërsa për akuzat mbi një marrëveshje PS-PD për Avokatin e Popullit dhe reformat, Balla i mohoi kategorikisht. “Nuk ka marrëveshje për këtë, rrini të qetë. Fakti që këta nuk po vijnë në reformat tregon që s’ka një marrëveshje. Reforma pa bashkëpunim nuk ka”, theksoi Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit