Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi përkushtimin e Shqipërisë ndaj sigurisë kibernetike, gjatë konferencës për Mbrojtjen Kibernetike të organizuar nga NATO në Tiranë, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 32 vende anëtare të aleancës.
Në fjalën e saj, Balluku theksoi se Shqipëria është e vendosur të forcojë kapacitetet mbrojtëse në hapësirën dixhitale, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar një mjedis më të sigurt për të gjithë.
“Në një botë ku rreziku vjen nga çdo cep i hapësirës dixhitale, ne nuk mund të jemi vetëm spektatorë. Duhet të jemi të përgatitur, të bashkuar dhe të fortë,” u shpreh Balluku.
Ajo vlerësoi NATO-n si më shumë se një aleancë ushtarake, duke e cilësuar atë si një “familje” ku solidariteti dhe bashkëpunimi ndihmojnë në mbrojtjen e lirisë dhe paqes.
“Shqipëria është krenare që luan një rol aktiv në këtë betejë të përbashkët dhe jep kontributin e saj për sigurinë kolektive të Aleancës,” shtoi ministrja.
Konferenca në Tiranë u konsiderua një moment i rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe në koordinimin e përpjekjeve për mbrojtjen kibernetike në një kohë kur kërcënimet digjitale janë gjithnjë e më komplekse dhe të sofistikuara.