Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikqyrjen Institucionale u zhvillua sot seanca dëgjimore për raportimin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, për vitin 2024.
Inspektorja e ILDKPKI-së, Evgjeni Bashari tha se “ILDKPKI ka garantuar përmbushjen e plotë të të gjitha rekomandimeve të dhëna nga Kuvendi”.
Bashari tha se “Inspektorati i Lartë ka vijuar mbështetjen e procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë duke përmbushur kompetencat jo vetëm në drejtim të bashkëpunimit me organet e rivlerësimit por edhe në riverifikimin paraprak të kandidatëve të cilët kishin shprehur interes për të qenë pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë”.
“Gjatë periudhës raportuese, në përfundim të procesit të rivlerësimit kalimtar janë trajtuar në total 23 kërkesa për dhënie informacioni dhe dokumentacione shtesë, 4 kërkesa ardhur nga operacioni ndërkombëtare i Monitorimit si dhe janë verifikuar në një kohë sa më të shkurtër 211 kandidatë të cilët kanë shprehur interes për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Kandidatët lidheshin kryesisht me Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatë e Apelit, drejtues prokurorish si dhe magjistratë të shkollës së Magjistraturës. Në përfundim të proceseve verifikuese, dosjet janë përcjellë për vendimmarrje të mëtejshme pranë KLP, KLGJ dhe organeve të tjera të emërtesës”, tha Bashari.
Bashari theksoi se “Inspektori i Lartë gjatë vitit 2024 u angazhua në koordinimin e marrëdhënieve institucionale me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, me qëllim vijimin e procesit të hetimit administrativ për rivlerësimin kalimtar që u bëhet policëve të vendit, ku për periudhën raportuese kanë përfunduar aktet për 35 subjekte dhe vazhdon procesi i verifikimit për pjesën tjetër të subjekteve”.
Në zbatim të skemës së e kontrollit, Bashari theksoi se “iu nënshtruan kontrollit të plotë 817 subjekte si për shkak funksioni ashtu edhe bazuar nga informacione të ardhura nga burime të ligjshme. Konkretisht në fokus gjatë vitit 2024 kanë qenë verifikimi i deklaratave të subjekteve në funksion si deputetë, kryetar bashkie, këshilltar ligjor, anëtar bordi, prokuror, gjyqtar, si dhe nëpunës të nivelit të lartë të administratës publike”.
“Në përfundim të procedurave administrative janë referuar pranë organeve ligjzbatuese 23 raste si dhe janë aplikuar rreth 101 masa administrative me gjobë”, tha Bashari.
Bashari u shpreh se institucioni ka bërë progres sa i përket rasteve të vetëdeklarimeve.
“Nëse më përpara rastet e mosdeklarimeve ishin gati 80%, sot kemi arritur që përqindja të jetë nën 1% të zyrtarëve që nuk deklarojnë në afat pa shkak”, tha Bashari.