Berisha: Demonstrata, protesta dhe revolta deri në largimin e Edi Ramës

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ditën e sotme, më 5 janar, në konferencën e parë me median për këtë vit, uroi të gjithë qytetarët shqiptarë si dhe vijoi denoncimet për qeveritarët.

“Gëzuar Vitin e Ri, ju, të gjithë gazetarëve, punonjësve të mediave, shtypit dhe gjithë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

Pas rrëmbimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro nga forcat amerikane Delta, Berisha u shpreh se koha e narko-perandorëve po perëndon dhe kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen.

“Edi Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Koha e narko – perandorëve po perëndon me shpejtësi. Ajo që forcat Delta realizuan, një operacion të paparë në histori për mënyrën perfekte të realizimit kundër një narko-diktatori të urryer të popullit të Venezuelës, ka zgjuar popujt në të gjitha vendet e tjera që të ngrenë krye kundër diktatorëve të tyre. Kam përshtypje që shqiptarët kanë parë me interesin më të madh, arrestimin në dhomën e tij të gjumit të narko-diktatorit, presin me padurim për t’u përballë me diktatorin e tyre dhe për t’i dhënë ndëshkimin që meriton”, u shpreh Berisha.

Më tej, Berisha i bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe opozitare për t’u bashkuar në një front në protestat kundër qeverisë shqiptare. Për këtë arsye, ai deklaroi se të premten është thirrur një tryezë e përbashkët e të gjitha forcave politike dhe faktorëve ndikues në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim kundër qeverisë.

“Partia Demokratike ka thirrur ditën e premte tryezën e të gjitha forcave politike dhe faktorëve influentë në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim, një front të gjerë kundër narkoregjimit të Edi Ramës dhe për të ndërmarrë të gjitha lëvizjet, protestat, demonstratat, revoltat e domosdoshme për largimin e tij një minutë e më parë”, u shpreh ndër të tjera kreu i Partisë Demokratike.

Berisha u ndal dhe te kërkesa për krijimin e qeverisë teknike dhe shtoi se vetëm pasi të arrihet marrëveshja për të selia blu do të paraqesë propozimet e veta.

“Partia Demokratike insiston dhe do të insistojë për një qeveri teknike për përgatitjen e një procesi të drejtë zgjedhor. Partia Demokratike, nuk avancon as edhe një emër, pa u arritur marrëveshja për qeverinë teknike. Pasi të arrihet marrëveshja për qeverinë teknike, pa diskutim PD do të avancojë, ose do të paraqesë propozimet e veta krahas forcave të tjera politike”, shtoi kryetari i PD-së.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit