Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se Gjykata Kushtetuese kaloi për gjykim padinë e bërë nga qeveria, për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, pas presionit të bërë nga kryeministri Edi Rama.
Berisha theksoi se në Gjykatën Kushtetuese zhvillohet një betejë e pashembullt në historinë e një vendi, midis institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes, të përfaqësuar nga qeveria. Sipas tij, “mësohet se gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare”.
Berisha i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të zhvillojë një seancë publike, pasi sipas tij është “çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore”.
“Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje të dokumentuara në të gjitha aspektet”, tha Berisha.
Berisha tha se nuk di asnjë arsye ligjore pse kjo çështje duhet të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese
“Unë di që mbi gjykatësit e asaj gjykate dhe jo vetëm të asaj, pushteti përdor format më të egra të presionit. Konkretisht, sepse nuk di asnjë arsye ligjore pse kjo çështje duhet të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, në një kohë kur në ligjin europian dhe ligjin shqiptar kjo, pezullimi është një kompetencë e qartë si kristali e prokurorisë dhe gjykatës që merren me zyrtarët e lartë.
“Asnjë gjykatë tjetër jashtë këtij, imagjinoni ju, pa kaluar në Apel, pa kaluar në Gjykatë të Lartë, e merr tani në shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Në një kohë kur kjo është e drejtë e gjykatësit që vendosi masën”, tha Berisha.


