Berisha: “Ramën nuk e heqin me ndërhyrje nga jashtë apo procese gjyqësore

Mos i humb

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në tryezën e PD-së me partitë e opozitës, shoqërinë civile dhe intelektualët, duke deklaruar se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më të lira dhe se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë.

Berisha iu referua rekomandimeve të Këshillit të Evropës për zgjedhjet në Shqipëri, ku sipas tij kërkohet ndarja e partisë nga shteti. Ai i cilësoi proceset zgjedhore si të ngjashme me ato të periudhës së Enver Hoxhës, por me pluralizëm fiktiv, ndërsa theksoi se edhe vëzhgues nga Parlamenti Evropian kanë deklaruar se krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik dhe mban në pushtet kryeministrin Edi Rama.

Në këtë kontekst, Berisha bëri thirrje për një përpjekje të gjerë qytetare për largimin e qeverisë aktuale, duke e cilësuar atë si një organizatë kriminale. Ai theksoi se ndryshimi nuk mund të vijë as nga ndërhyrjet nga jashtë dhe as nga proceset gjyqësore, pasi sipas tij qeveria përdor pushtetin për të mbrojtur veten nga drejtësia.

Kreu i PD-së kërkoi krijimin e një qeverie teknike me dy objektiva kryesore: përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe mosndërhyrjen në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, zgjedhjet e lira nuk ekzistojnë më, ndërsa fitorja e qeverisë aktuale vjen si pasojë e përdorimit të administratës, faljes së gjobave dhe kamatave pak ditë para zgjedhjeve dhe presionit mbi votuesit.

Berisha theksoi se opozita kërkon të vijë në pushtet vetëm përmes vullnetit të qytetarëve dhe kërkoi që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë, ndërsa mosndëshkimi i tij, sipas tij, e rrezikon të ardhmen e vendit. “Zgjedhjet e lira dhe demokracia janë i vetmi sistem që krijon të ardhme”, u shpreh ai.

Në lidhje me drejtësinë, Berisha deklaroi se një qeveri teknike duhet të mbajë duart larg sistemit gjyqësor, pavarësisht problemeve dhe mangësive që ai ka. Ai përmendi rezoluta ndërkombëtare që, sipas tij, e kanë cilësuar drejtësinë shqiptare si të politizuar dhe të përdorur kundër opozitës.

Berisha garantoi se Partia Demokratike do të jetë e vendosur për bashkëpunim me të gjitha forcat opozitare dhe shoqërinë civile për realizimin e objektivit të saj kryesor: krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit