Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër

Mos i humb

Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut, njoftoi sot se nga monitorimi gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territor paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën e Obotit është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 centimetra, nga 100 centimetra që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje me rreth 10 centimetra. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse do të qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Sipas bashkisë, në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit me rreth 10 centimetra krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Bashkia bëri të ditur se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç 80 hektarë, në Velipojë 10 hektarë, Ana e Malit 530 hektarë, Bërdicë 50 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 760 hektarë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit