Borchard: Ekstremizmi radikal në Shqipëri ekziston, por nuk është problem i madh

Mos i humb

Misioni i OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, organizuan në Tiranë konferencën me temë: “Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm në institucionet e privimit të lirisë dhe shërbimit të provës në Shqipëri”.

Kreu i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchard, tha se prania e ekstremistëve radikal në burgje është problem me të cilin po ndeshen shumë prej shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së. Sipas tij, ekspertët e shumë prej këtyre vendeve bien dakord se rreziku i “infektimit” të të burgosurve të zakonshëm prej tyre është i lartë.

“Për mua është një gjë lehtësisht e kuptueshme. Të burgosurit gjenden në një situatë acaruese, në monotoni shumicën e kohës, shpesh në përpjekje për t’ua hedhur fajin të tjerëve. Kështu që disa prej tyre bien lehtësisht pre”, tha Borchardt.

Duke folur për ekstremizmin radikal në Shqipëri, Borchardt u shpreh se ky fenomen nuk është problem i madh, por egziston si problem.

“Në Shqipëri nuk është problem i madh ekstremizmi radikal, pra numri i personave që do të ishin të gatshëm të zgjidhnin rrugën e dhunës. Megjithatë, problemi ekziston. Edhe në vendin tim, në Gjermani, vlerësohet se numri i të burgosurve tejet të radikalizuar është vetëm 300. Po ta shohim këtë shifër në raport me popullsinë, është e njëjta përqindje me Shqipërinë”, tha Borchard, duke shtuar se Misioni i OSBE-së dëshiron të ndihmojë në këtë proces me sjelljen e praktikave ndërkombëtare.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur në parandalimin e luftës kundër ekstremizimit të dhunshëm. Sipas saj, “qeveria i ka bërë të gjitha përpjekjet, duke miratuar të gjitha dokumentet strategjike, të tilla si strategjinë kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe ngritjen e qendrës së koordinimit të ekstremizmit të dhunshëm”.

Duke folur për rritjen e profesionalizmit të punonjësve të personelit të burgjeve dhe Shërbimit të Provës, Gjonaj tha se është i nevojshëm trajnimi i tyre për mënyrën se si duhen trajtuar të dënuarit.

“Personeli i burgjeve dhe ai i Shërbimit të Provës kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme që synojnë rritjen e profesionalizmit si dhe arritjen e standardeve të nevojshme për trajnimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në këto institucione. Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm në burgje dhe në shërbimin e provës, është një provë e re për personelin e këtyre dy institucioneve, për të cilën kërkohet më shumë përkushtim dhe profesionalizëm”, tha Gjonaj.

Në konferencë të pranishëm ishin përfaqësues të ambasadave të Suedisë, Austrisë dhe Gjermanisë në Shqipëri, si dhe mysafirë të tjerë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit