Braҫe: Sulme të verifikuara nga grupe të huaja keqdashëse ndaj turizmit në vend

Mos i humb

Komisioni i Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku në rend të ditës ishte informimi për veprimtarinë e deritanishme të komisionit.

Po ashtu, u krye shqyrtimi dhe miratimi i projektkalendarit të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar si dhe shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit “Për caktimin e ekspertëve”.

Kryetari i këtij komisoni, Erion Braҫe shprehu keqardhjen që deputetët e opozitës nuk i janë bashkëngjitur komisionit.

“Shumica në komision është prezent, duke vijuar edhe një herë me keqardhjen e madhe që kolegët e opozitës ende nuk i janë bashkëngjitur këtij komisioni, ndërkohë që fusha e veprimtarisë së tij gjithnjë e më tepër po bëhet e rëndësishme sa i takon ngjarjeve që po zhvillohen, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë sesa kaq”, tha Braҫe.

Ndërkohë që, shtoi Braҫe, vende të BE, por edhe institucione të tjera nga Evropa në Amerikë, janë përfshirë gjithnjë e më shumë në adresimin e problematikës që ka të bëjë me ndërhyrjet e huaja direkte, veҫanërisht në proceset demokratike zgjedhore dhe më gjerë sesa kaq, përfshirë edhe dezinformimin”.

Braҫe bëri të ditur se komisioni ka vijuar të jetë në aktivitet të plotë.

“Komisioni ka vijuar që së bashku me institucionet e atashuara pranë tij të vazhdojë të kryejë ushtrimin e ballafaqimit, pikërisht me fenomenet e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit”, tha ai.

Për këtë arsye, theksoi Braҫe, kanë vijuar mbledhjet e punës së anëtarëve të këtij komisioni me institucionet e atashuara pranë këtij komisioni.

“Bëhet fjalë për institucionet publike, të pavarura gjithashtu, dhe që operojnë në fushat që mbulohen tashmë nga 4 shtyllat e komisionit”, tha Braҫe.

Braҫe shtoi se, anëtarëve të këtyre grupeve iu është prezantuar ndarja e punës, sipas 4 objektivave të këtij komisioni dhe iu është kërkuar angazhim i secilit institucion për të kontribuuar në kohë dhe cilësi në dërgimin e informacionit.

Braҫe shtoi se, i janë dërguar kërkesa 15 institucioneve publike.

“Janë dërguar një mori kërkesash shkresore në adresë të 15 institucioneve publike të përfaqësuar në grupin e punës pranë komisionit. Nga institucionet u kërkua realizimi i një analize të plotë ligjore të situatës konkrete në vend lidhur me ҫështjet e dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj keqdashëse, duke përfshirë rekomandimet e dhëna nga institucionet ndërkombëtare, organizmat vendas dhe të huaj, për masa ligjore dhe institucionale, si dhe nevojën për mekanizma konkretë për të adresuar këto rekomandime në përputhje me objektivat e punës së komisionit dhe fushës së veprimtarisë së institucioneve respektive”,  tha Braҫe.

Braҫe gjithashtu njoftoi se, Komisioni i Posaçëm i Dezinformimit do të nisë javën e dytë të tetorit seancat dëgjimore.

“Që nga java e dytë e muajit tetor, komisioni do të jetë në seanca dëgjimore me drejtuesit më të lartë dhe natyrisht edhe ekspertët pranë komisionit në seanca dëgjimore për marrjen e të dhënave drejtpërdrejt prej tyre këtu.

Po kështu, Braҫe bëri të ditur se, në mbështetje të punës së këtij komisioni do të jenë dhe ekspertë nga BE, Këshilli i Evropës dhe i OSBE-së që do të tregojnë praktikat e tyre.

Braçe tha se, një delegacion i BE-së do të jetë në mbështetje të punës.

“Në përgjigje të ftesës dhe kërkesës së këtij komisioni për mbështetjen me ekspertizë pranë këtij komisioni drejtuar institucioneve ndërkombëtare që kanë selinë në territorin e Republikës së Shqipërisë përfshirë BE, OSBE-në SHBA-në, komisioni është bëre me dije se nga delegacioni i BE në mbështetje të punës së këtij komisioni është konfirmuar zhvillimi i një workshopi dhe në vijim një seri misionesh me ekspertësh. Referuar draft agjendës së workshopit dyditor planifikojnë që temat e trajtuara të mbulojnë të gjithë objektivat e përcaktuara nga komisioni si dhe praktikat më të mira të BE në këtë fushë”, tha Braҫe.

Workshopi planifikohet të zhvillohet në datat 28-29 tetor 2024.

Gjithashtu, Braçe tha se gjatë muajve korrik dhe gusht ka pasur ngjarje që kanë sjellë në evidencë të punës së këtij komisioni, pikërisht fenomene të ndërhyrjes së huaj keqdashëse, por edhe të dezinformimit.

Ai veҫoi rastet e marrëdhënieve mes Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë dhe sulmet ndaj turizmit.

“E para mbi të gjitha ishin “lajmet” që u përhapën me shpejtësi dhe në Shqipëri sa i takon zhvillimeve që kishin të bënin me Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Një deklaratë e parë e lëshuar nga mediat serbe, tabloidet atje pranë qeverisë serbe, e që pastaj u amplifikuan nga mediat shqiptare, e që kishte të bënte me mundësinë e shpalljes së pushtimit të Kosovës nga presidenti i Serbisë. Një zinxhir i tërë keqinformimi që mbërriti në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që na solli në evidencë faktin sesi përhapet dezinformimi edhe brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke implikuar Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon dhe natyrisht duke krijuar shqetësim shumë të madh edhe brenda vendit”.

Gjithashtu Braҫe theksoi se, gjatë muajit korrik dhe gusht turizmi ka qenë nën sulm nga grupe të posaҫme keqdashëse të huaja për të larguar vëmendjen nga Shqipëria.

“Ngjarje që kanë ndodhur gjatë muajve korrik dhe gusht sjellin në vëmendje ekzistencën e fushatave dezinformuese, veçanërisht në aspektin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Turizmi ka qenë nën atak dhe tashmë është i verifikuar që grupe të posaҫme të huaja keqdashëse kanë sulmuar pikërisht faqet e njësive akomoduese në Shqipëri, me qëllim të largimit  të vëmendjes dhe prenotimeve pikërisht nga këto njësi akomoduese kohë pas kohe”, tha Braçe.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit